Wed, Nov 27, 2024

Presidenti kalon në heshtje ligjet e kontestuara të qeverisë

  • PublishedAugust 15, 2023

Presidenti ka kaluar në heshtje, pa dekret, dy ligjet e fundit të qeverisë për masat ndaluese për mjekët e rinj dhe legalizimin e kanabisit mjekësor – nisma ligjore këto që u kundërshtuan respektivisht nga studentët e Mjekësisë dhe nga opozita.

Një ligj i tretë për Akademinë e Shkencave, që i jep mundësinë kryetarit që të kandidojë për një mandat të dytë, nuk është dekretuar gjithashtu nga Begaj, por sipas zyrës së shtypit të Presidencës, afati për dekret skadon mesnatën e së martës.

Të tre ligjet u miratuan në seancën e fundit të parlamentit në të gdhirë të datës 21 korrik, pavarësisht kontestimeve nga opozita dhe shoqëria civile.

Ligji për mjekët e rinj i detyron studentët e Mjekësisë që të punojnë deri në pesë vite në Shqipëri, përpara se të marrin diplomën, ose në të kundërt do të duhet të paguajnë tarifat e studimeve. Përmes një vale protestash, studentët e Mjekësisë e kundërshtuan këtë ligj si diskriminues dhe të pakonsultuar.

Me kërkesën që të mos dekretonte ligjin, studentët u pritën më 25 korrik në një seancë dëgjimore nga presidenti Begaj, i cili, sipas zyrës së shtypit, “dëgjoi me vëmendje shqetësimet dhe sugjerimet e tyre”.

“Presidenti siguroi përfaqësuesit e studentëve se do të shqyrtojë me seriozitet të gjitha argumentet e paraqitura prej tyre, si dhe argumentet e relatuara nga ligji para se të veprojë sipas kompetencës dhe procedurës kushtetuese,” njoftoi pas takimit zyra e shtypit.

Të martën, Presidenca i tha BIRN se “afati i shpalljes së këtij ligji ka kaluar dhe kreu i shtetit nuk e ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese për ta dekretuar”. Megjithatë, sipas nenit 84/2 të Kushtetutës, shpallja e ligjit bëhet automatikisht.

Ligji me të cilin qeveria pretendon se do të ndalojë eksodin e mjekëve për punësim në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, u fut me procedurë të përshpejtuar në parlament. Duke përdorur terminologjinë “Trajtimi i veçantë” dhe “Punësim me prioritet”, qeveria parashikon klauzola detyruese për gjithë studentët e rinj dhe për ata që janë aktualisht duke ndjekur studimet.

Edhe ligji për legalizimin e kanabisit mjekësor, një tjetër projekt i debatueshëm i qeverisë, ka kaluar në heshtje nga presidenti, ndërsa pritet qëndrimi që do të mbajë për ligjin për Akademinë e Shkencave, i cili u miratua nëpërmjet një procedure të kontestuar fort nga opozita.

Sipas Kushtetutës, Presidenti është hallka e fundit e procesit të miratimit të një ligji të ri. Ai ka të drejtë t’i kthejë ligjet për diskutim në parlament, kur ka argumente ligjore kundër tyre,  ose të dekretojë shpalljen e tyre që i paraprin si akt ligjor hyrjes në fuqi.

Që nga zgjedhja e tij si president para një viti, presidenti Begaj ka kthyer vetëm një ligj të qeverisë në Kuvend, atë për dekoratat, ku prekeshin drejtpërdrejt kompetencat e tij në dhënien e dekoratave.