6 të arrestuar pas aksionit antidrogë në det
Policia e Shtetit dhe Guardia di Guardia di Finanza italiane ndërprenë të hënën në mbrëmje një operacion shkëmbimi narkotikësh që po kryehej 18 milje nga Laguna e Patakut. Në një konferencë për shtyp Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, tha se aksioni i policisë u krye në ujërat ndërkombëtare ku një anije me vela me flamurë të Ukrainës, dyshohet se shkëmbeu narkotikë me gomone të nisura nga bregu i Shqipërisë. Bizhga tha se aksioni filloi në orën 22.00 të së hënës dhe vijoi deri në 6 të mëngjesit të martën.
“Operacioni filloi pas njoftimit të strukturave monitoruese në terren, për lëvizjen me shpejtësi të një mjeti lundrues, nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin. Ky mjet lundrues është afruar pranë një tjetër mjeti lundrues tip veliere dhe më pas shtetasit që ishin në këto mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike”, tha policia në njoftim për shtyp.
Megjithatë për shkak se të dyshuarit si trafikantë i vunë zjarrin anijes me vela e cila u mbyt, policia nuk gjeti më shumë se 23 kilogramë kanabis në afërsi të vendit të mbytjes. 6 persona u arrestuan në aksion mes të cilëve dy shtetas të Ukrainës, ndërsa u sekuestruan 45 mijë euro dhe 23 kg kanabis që u gjetën pasi të akuzuarit për trafik i vunë zjarrin anijes në të cilën do të merrnin drogën. Të arrestuarit u identifikuan si: Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, nga Tirana; Armando Mema, 37 vjeç, nga Tirana; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç; Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë dhe dy shtetas të Ukrainës të identifikuar si Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç dhe Kostiantyn Biellon, 44 vjeç.
Arrestimet sipas policisë u kryen në det dhe në një restorant në Lagunën e Patokut, ku RENEA ndaloi të dyshuar si të përfshirë në këtë trafik. Policia po ashtu sekuestroi edhe dy pistoleta dhe 200 fishekë. Ky është aksioni i parë i policisë që tregon për shkëmbim të narkotikëve në det. Kryesisht trafiku i drogës kalon përmes porteve.