Fluks të sëmurësh me probleme kardiake në spitalin e Beratit, mjekja: Numri është trefishuar, ja arsyet
Temperaturat e nxehta të verës së këtij viti kanë shtuar mjaft numrin e të sëmurëve që paraqesin komplikacione shëndetësore kardiake. Rastet e të sëmurëve që paraqiten për ndihmë mjekësore pranë Repartit të Kardiologjisë në Spitalin Rajonal të Beratit këtë vit janë trefishuar, ndërkohë që të shumta në numër kanë qenë edhe urgjencat kardiake me komplikacione.
Lajmin e bën të ditur mjekja kardiologe, Alma Bejleri, e cila ka konfirmuar se problematikat kardiake të kësaj stine janë të shpeshta dhe paraqitja më e madhe e tyre është shfaqur tek pacientët që vuajnë nga sëmundjet kronike, pacientët me hipertension dhe diabetik. Shqetësim për mjeken Bejleri është edhe shfaqja e dukshme e rasteve me probleme kardiake tek të rinjtë dhe shtimi i rasteve të sferës psikiatrike.
“Këtë vit është vënë re një shtim i fluksit të pacientëve të moshave të reja, që janë pacientët nga mosha 30-40 vjeç dhe pa sëmundje bashkëshoqëruese si dhe është shtuar numri i pacientëve me patologji të sferës psikiatrike e neurologjike. Pacientët në moshat e reja anë pacientë që kanë një stil jo të mirë jetese ose që janë diabetike. Këtë vit edhe rastet e komplikuara janë qenë më të shpeshta, po ashtu edhe rastet e zbuluara për herë të parë”, ka thënë Bejleri.
Mjekja kardiologe Alma Bejleri ka konfirmuar se për shkak të temperaturave ekstreme që hasëm gjatë këtij viti është shtuar mjaft numri i vizitave në Repartin e Kardiologjisë në Spitalin Rajonal Berat, që krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë vizitat janë trefishuar. Sipas saj, numri i vizitave ambulatore ka shkuar nga 60-70 vizita në ditë, ndërkohë që në numër të shtuar kanë qenë urgjencat kardiake.
Duke parë se situata e probleme kardiake ka shkuar drejt shtimit të rasteve dhe komplikacioneve tek të sëmurët kronikë, mjekja ka dhënë edhe këshillat mjekësore të nevojshme për këtë situatë.
“Këshillat janë ato që kemi dhënë gjatë konsultave ambulatore: konsumimi i lëngjeve me sasi të shtuar e me sasi të pakët të kripës, konsumimi i sa më shumë frutave, perimeve e zarzavateve, pakësimi i konsumimit të ushqimeve që përmbajnë proteinë të lartë siç është mishi i kuq, mosekspozimi në temperaturat e larta dhe përdorimi i rregullt i medikamenteve tek të sëmurët kronikë”, ka thënë mjekja kardiologe Alma Bejleri.