EMRI/ Qëlloi me kallashnikov në ajër për të kanosur kushëririn e tij, arrestohet 26-vjeçari në Durrës
Policia e Durrësit ka arrestuar një 26-vjeçar, pasi qëlloi në ajër me kallashnikov për të kanosur kushëririn e tij.
Uniformat blu bëjnë me dije se shkak ka qenë një konflikti për motive të dobëta, ndërsa mësohet se në pranga ka rënë shtetasi Euron Balla, banues në fshatin Jube të Durrësit.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalibri”, sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov, 2 krehra dhe 54 fishekë luftarak.
Qëlloi me kallashnikov në ajër, për të kanosur kushëririn e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet tyre, arrestohet në flagrancë 26-vjeçari.
Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Jube, Durrës, një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën Operacionale, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendin e njoftuar, me qëllim arrestimin e autorit.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme në kuadër të operacionit policor të koduar “Kalibri”, u kap dhe u arrestua shtetasi E. B., 26 vjeç, banues në fshatin Jubë, Durrës.
Shtetasi E. B. ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në ajër, për të kanosur kushëririn e tij, shtetasin M. B., 63 vjeç, me të cilin ishte konfliktuar për motive të dobëta.
Arma e zjarrit kallashnikov që posedohej pa leje nga 26-vjeçari, 2 krehra dhe 54 fishekë luftarak, u gjetën nga Policia dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.