“Kemi ndaluar një prej autorëve”, Balla për zjarrin masiv në Laç: Një prej situatave më të vështira këtë vit
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale në lidhje me situatën e zjarrit pranë qytetit të Laçit, duke e cilësuar atë si “një ndër situatat më të vështira të krijuar nga zjarret gjatë këtij viti”.
Balla u shpreh se forcat zjarrëfikës të gjitha bashkive pranë Kurbinit janë urdhëruar të ndërhynë, teksa reparte të tjera janë mobilizuar po ashtu.
Sakaq, Balla njoftoi edhe se policia ka ndaluar në flagrancë një prej autorëve të kësaj zjarrvënie, i cili është 41-vjeçari V. H.
Postim i plotë:
Zjarret në vend➖Në Bashkinë Kurbin, në masivin me pisha pranë qytetit të Laçit, kemi një ndër situatat më të vështira të krijuar nga zjarret gjatë këtij viti. Ndërsa forcat zjarrëfikës të gjitha bashkive pranë Kurbinit janë urdhëruar të ndërhynë, edhe Emergiencat Civile, Forcat e Armatosura🚁 dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë nisur për në Laç. Policia e Shtetit ka ndalur në flagrancë njërin nga autorët e kësaj zjarrivënie (shtetasi V.H. 41 vjeç).