Wed, Nov 27, 2024

Paraja gjithsej me rritjen më të ulët në katër vjet, forcimi i lekut frenoi ofertën monetare

  • PublishedAugust 22, 2023

Rritja e agregatit monetar M3 ose parasë së gjerë në mesin e këtij viti shënoi ritmin më të ulët në katër vjet.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit qershor ky tregues u rrit me 1.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu normën më të ulët të zgjerimit vjetor që prej janarit të vitit 2019.

Agregati monetar M3 përfshin të gjithë ofertën monetare në lekë (para jashtë bankave dhe depozitat bankare) si edhe depozitat bankare në valutë të huaj.

Ritmet e rritjes së agregatit M3 në pjesën e parë të këtij viti ka ardhur në ngadalësim të vazhdueshëm. Kjo ka ardhur nga frenimi i rritjes së depozitave bankare në valutë, paralelisht me ritmet e ulëta të rritjes së ofertës monetare në lekë (agregatit monetar M2).

Në fakt, ngadalësimi i rritjes së parasë së gjerë ilustron në një masë të madhe efektet e kursit të këmbimit.

Pavarësisht se depozitat në valutë të huaj kanë vazhduar të rriten, të shprehura në valutat përkatëse, forcimi i kursit të lekut ka bërë që rritja e tyre në monedhën vendase të frenohet ndjeshëm.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për qershorin rritja vjetore e depozitave në valutë zbriti në 0.1%. Ky është niveli më i ulët i rritjes që prej fundit të vitit 2018.

Ngadalësimi i ofertës së parasë së gjerë në këtë rast ilustron efektet e kursit të lirë të këmbimit si faktor amortizues i presioneve të huaja inflacioniste.

Në kushtet e prurjeve të larta valutore nga jashtë, të lidhura sidomos me turizmin, kursi i lirë i këmbimit ka shërbyer si mekanizëm i zhvlerësimit të valutës dhe i forcimit të Lekut, duke zbutur efektin inflacionist që shkakton rritja e sasisë së valutës së huaj në qarkullim.

Në këndvështrimin makroekonomik, një rritje e ngadaltë e parasë së gjerë është një faktor që në mënyrë të tërthortë mund të sinjalizojë për frenimin e presioneve inflacioniste në ekonomi.

Inflacioni po vijon rënien dhe në korrik preku nivelin 4.2%, në i ulëti që prej shkurtit të vitit të kaluar. Edhe treguesi i inflacionit bazë, që përjashton produktet me luhatshmëri të lartë, si ato energjetike dhe ushqimore, në qershor zbriti në 5.18%, niveli më i ulët prej marsit të vitit 2022.

Kursi i lirë i këmbimit, në këtë rast, ka zëvendësuar rritjen e normave të interesit të lekut si instrument për të luftuar inflacionin e lartë. Banka e Shqipërisë e ka frenuar rritjen e normave të interesit qysh prej marsit të këtij viti, në nivelin 3%, ndërsa shumica e bankave të tjera qendrore ka vijuar rritjet.

Norma bazë për euron tashmë ka arritur në nivelin 4.5%. Në argumentet e veta, Banka e Shqipërisë e ka argumentuar frenimin e rritjes së normave të interesit kryesisht me forcimin e lekut në kursin e këmbimit.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, në mungesë të forcimit të kursit gjatë dy viteve të fundit, norma e inflacionit do të ishte 2.5 pikë përqindje më e lartë.

Niveli më i lartë i inflacionit do të diktonte një normalizim më agresiv të qëndrimit të politikës monetare nga ai që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë, duke rritur kostot e financimit për bizneset dhe familjet shqiptare./Monitor/

AlbaniaWeb.net