Fero del me njoftimin e papritur: Fshini çdo këngë timen dhe mos i dëgjoni asnjëherë
Fero ka njoftuar largimin e tij nga muzika. Në një postim në rrjetet sociale, reperi ka bërë të ditur arsyen e tërheqjes së tij nga industria. Fero shprehet se nëpërmjet besimit në fenë islame ka arritur të kalojë disa sfida në jetën e tij.
Pikërisht prej besimit, ai ka vendosur ta lërë muzikën dhe të kthehet në një praktikant të devotshëm të fesë. Mes të tjerash, Fero kërkon falje për këngët e tij dhe iu bën thirrje të gjithëve që të mos i dëgjojnë ose shkarkojnë.
Mes të tjerash, ai i kërkon falje familjes dhe personave që “iu ka bërë padrejtësi”.
“Përshëndetje miq, desha t’ju njoftoj se kohëve të fundit kam pasur disa sfida në jetën time, të cilat me ndihmën e Allahut i kam kaluar. Unë kam vendosur që përfundimisht të largohem prej muzikës, arsyeja kryesore është se kohëve të fundit kam studiuar rreth fesë islame dhe më është bërë e qartë se muzika është e ndaluar në islam. Për këtë arsye kam vendosur që ta lë muzikën dhe t’i përkushtohem fesë islame dhe familjes time.
Unë dua t’ju njoftoj se falem 5 herë në ditë, dhe pendohem te Allahu, Krijuesi i gjithësisë për çdo këngë që e kam kënduar dhe çdo tekst që e kam shkruar, pastaj i kërkoj falje familjes time dhe gjithkujt që i kam bërë padrejtësi, ju kërkoj që t’ma bëni hallall.
Unë kam një mesazh për çdo kënd që dëgjon këngët e mija le t’i fshijë ato këngë ose mos t’i dëgjojë asnjëherë, le të largohet nga kjo gjë e kotë.
Secili njeri është i lirë të zgjedh mënyrën se si ta jetojë jetën e tij.
Gjithashtu ju thërras të gjithë juve që të falni namazin, ndiqni shembullin tim të udhëzimit dhe të largoheni nga shembulli i devijimit.
E di se do të ketë njerëz që do të më paragjykojnë, do të thonë se a e dini se çfarë mëkate ke bërë etj, mirëpo mua më mjafton fjala e Allahut të Lartësuar: “Thuaj: “O robërit e mi, ju që e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, se vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet”.