Thu, Nov 28, 2024

“Jam i zhgënjyer që u eliminuan nga BATE”, Josa: Partizani me fat, stadiumi i Astanës ka kushte të mira

  • PublishedAugust 24, 2023

Skënderbeu u bë klubi i parë shqiptar që merr pjesë në fazën e grupeve të një kompeticioni të UEFA-s (Liga e Europës) në edicionin 2015-2016. Trajner ishte Mirel Josa, i cili fitoi gjithçka në Korçë. Sot 60-vjeçari mundohet të analizojë shanset që ka Partizani në “play off” të Ligës së Konferencës. Në intervistën për “Panorama Sport”, ai flet për ndeshjen ndaj Astanës, por jo vetëm. Në stadiumin ku do të luajnë sot “demat”, trajneri ka një kujtim jo të mirë me korçarët në vitin 2013.

Profesor, së pari si ju është dukur paraqitja e Partizanit në Europë?
Jam shumë i zhgënjyer me Partizanin për mënyrën se si u eliminua nga BATE Borisov në turin e parë të Ligës së Kampioneve. Të them të drejtën, nuk e prisja, pasi duke parë nivelin e skuadrave, krijova bindje se do të kalonte Partizani më tej. Nuk dua të bëj krahasime me BATE-n e para disa viteve dhe këtë ekip që ka tani, por shikoja Partizanin të avantazhuar. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Ballkanin, që e shikoj të favorizuar në përballjet me BATE-n në “play off”. Pastaj, Partizani pati fatin që luajti me kundërshtarë të kalueshëm në Ligën e Konferencës, por pavarësisht nivelit të tyre, në përgjithësi ekipi erdhi duke e ngritur lojën

Nga shorti i favorshëm te “play off”-i, por çfarë prisni tani nga të kuqtë?
Duhet të kemi parasysh që në të tilla nivele, për të shkuar në fazën e grupeve, duhet edhe shumë fat rrugës. Partizanit i ka buzëqeshur shorti, ashtu siç ka pasur edhe Skënderbeu fat me skuadrat që ka luajtur kur u kualifikua në grupe. Përderisa Partizani ka ardhur deri këtu, duhet të provojë shanset e veta deri në fund. Unë e shikoj skuadrën në konsolidim e sipër këtë periudhë. Në fund të fundit janë pikërisht këto ndeshje zyrtare që e konsolidojnë ekipin dhe jo miqësoret. Do të luajnë me Astanën në “play off” dhe unë jam i sigurt që klubi i Partizanit deri më tani është i kënaqur për të ardhurat financiare. Do të ishte shkëlqyeshëm nëse do të vazhdonte duke shkuar në grupe, pasi të ardhurat e atyre janë një tjetër nivel. Mirëpo, duhet të jemi edhe pak me këmbë në tokë në këtë moment. Nuk duhet të fluturojmë, pasi përballë është një klub i organizuar dhe me eksperiencë në këto raunde dhe që ka qenë më parë në grupe.

Ju keni drejtuar Skënderbeun në Kazakistan 10 vite më parë, ku luajtët me Shaktjor Karagandin dhe humbët 3-0. Çfarë kujtoni?
Kohët kanë ndryshuar, pasi kur kam qenë trajner i Skënderbeut, Astana ka qenë një ekip shumë më i organizuar se tani dhe natyrisht më i fortë se Shaktjor Karagandi që u përballëm dhe na eliminoi. Interesant është fakti që kemi luajtur në stadiumin e Astanës edhe atëherë, që ka kushte shumë të mira. Panorama Sport

AlbaniaWeb.net