Pochettino i dëshpëruar, takim kokë me kokë me Lukakun, por sytë i ka nga…Broja
Armando Broja është në garë me kohën në këtë fund gushti, jo vetëm për tu rikthyer në fushë, por dhe për të vendosur në lidhje me të ardhmen e tij, kjo e fundit në fakt është më shumë në dorë të Mauricio Pochettino-s. Broja është stërvitur me pjesën tjetër të ekipit në vigjilje të sfidës kundër Luton, e vlefshme për javën e 3-të të Premier League, por nuk është ende e qartë nëse Pochettino do ta përfshijë në listën e lojtarëve të grumbulluar. Në këtë fund gushti, që përkon edhe me fundin e merkatos, në Londër janë ende të paqartë se çfarë do të bëjnë me Armando Brojën.
Dëmtimi i rëndë i Nkunku dhe eksperienca e vogël e Nicolas Jackson, bën që Pochettino të flas kokë me kokë me Lukakun, Belgu vijon të stërvitet i diferencuar në pritje të zhvillimeve të reja në merkato. Lukaku është me një këmbë jashtë Londrës pasi dëshira e tij është të rikthehet në Serie A. Në këto kushte, Pochettino shpreson që të ketë Brojën në dispozicion, për këtë arsye po hezitojnë të futen në negociata me Milanin.
Kuqezinjtë e kanë kaluar Brojën në plan B, nëse nuk arrijnë të sigurojnë shërbimet e Ekitike të PSG, atëherë do të bëjnë dhe një tentativë të fundit për Brojën, duke shpresuar që marrëdhënia shumë e mirë me Chelsea të ketë efekt edhe këtë herë. 36 milionë euro derdhi Milani në arkën e Chelsea-t këtë verë për dyshen Loftus-Cheek-Pulisic, por Brojën e kërkojnë në formë huazimi. E paqartë është edhe fakti nëse Broja do të jetë në dispozicion të Shqipërisë për dy sfidat e shtatorit, trajneri Sylvinho la të kuptohet se kjo është e pamundur për momentin.
()