KQZ e vlerëson me 81 lekë çmimin e një vote në zgjedhjet e 14 majit
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, përcaktoi të enjten vlerën në para të një vote të vlefshme për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.
“Vlera në para e një vote të vlefshme është 81 lekë,” thuhet në vendim.
Vlera e një vote përcakton ndarjen e fondeve publike për partitë parlamentare në zgjedhjet e ardhshme vendore, sipas votave që ato kanë marrë në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Nga fondet shtetërore përfitojnë ato subjekte që kanë arritur të marrin mbi 1% të votave të vlefshme dhe në bazë të numrit të votave ndahen dhe fondet e ardhshme për partitë.
Në zgjedhjet e fundit vendore janë 13 subjekte që kanë kaluar pragun 1% dhe për herë të parë Partia Demokratike, e cila u fut e përçarë në këto zgjedhje, nuk është partia më e madhe e opozitës.
Ajo renditet pas Partisë Socialiste dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që kryesohej nga Partia e Lirisë.
Kodi Zgjedhor parashikon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, brenda 10 ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar në shkallë vendi, përcakton me vendim vlerën në para të 1 vote të vlefshme, duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar, me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje, që kanë marrë jo më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi.
“Për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore llogaritja bëhet mbi bazën e votave të marra për këshillat vendorë në shkallë vendi”- thuhet në vendimin e KQZ-së.
Fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për financimin e fushatës zgjedhore të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e datës 14 Maj 2023 ishte 100 milion lekë.
Ky fond u pjesëtua me numrin në total të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse, numër që sipas KQZ-së është 1.242.641 vota.