“Shiko për diku tjetër”, Pochettino shpërfill Lukakun, mbetet në pritje të Brojës
“Shiko për dikur tjetër”, ky titull i “Mirror Sport” zbulon përfundimin e takimit kokë më kokë ndërmjet Mauricio Pochettino-s dhe Romelu Lukakut. Mes palëve nuk ka më asnjë pikë të përbashkët, Lukaku është i padëshiruar në Londër. Pavarësisht se Pochettino po has vështirësi në lidhje me fazën sulmuese, trajneri i bluve nuk sheh shpëtim te Lukaku, më mirë pret të rikthehet Broja në kushte optimale se sa t’i besojë Lukakut.
Pasi e mbajtën gjatë gjithë verës me shpresën që dikush t’i blinte kartonin, Chelsea është gati të lë të lirë Lukakun në formë huazimi. Për momentin dy janë klubet që interesohen për shërbimet e sulmuesit belg, Juventus dhe Roma. Të dy ekipet e Serie A e kërkojnë Lukakun në formë huazimi. Nëse tifozët e “Zonjës së Vjetër” nuk e dëshirojnë në Torino, e kundërta ndodh në Romë, tifozët verdhekuq kanë shprehur pëlqimin e tyre për transferimin e Lukakut.
Në çdo rast, nëse gjërat nuk shkojnë si duhet deri në fund të gusht, nëse Lukaku nuk gjen një skuadër të përshtatshme në Evropë, atëherë opsion mbetet edhe Arabia Saudite. Në fakt, drejtuesit e Chelsea-t shpresojnë që belgu të transferohet në Arabi pasi ekipet saudite janë të gatshme të blejnë kartonin e tij.
()