Derbi “vishet” bardheblu, Tirana thyen Dinamon me përmbysje, VAR rrëmben skenën në Elbasan
5 gola të shënuar, tre penallti, në fund feston Tirana. Derbi i kryeqytetit, edhe pse jo më shijen e dikurshme, vishet bardheblu. Ekipi i Shehit e nis me këmbën e mbarë këtë sezon të ri duke thyen Dinamon, për më tepër një fitore me përmbysje. Për fat te keq, ky derbi nuk u zhvilluan në Air Albania, por u shpërngul në Elbasan, duke bërë që atmosfera të mos ishte ajo që i ka hije këtij derbi. Di Biaxho e nis me humbje këtë aventure në Shqipëri, por ekipi i tij dhuroi sinjale pozitive edhe pse një ekip i ri, i ndërtuar sërish nga e para.
Dinamo befasoi Tiranën teksa kaluan të parët në avantazh me Kaçorrin në minutën e 24-të, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi. Festa e dinamovitëve nuk zgjati shumë pasi Hila barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 29-të. Në pjesën e dytë, skenën e rrëmbeu VAR teksa u akorduan jo pak por tre penallti. Fillimisht ishte Dinamo, me Denison që kaloi në epërsi blutë në minutën e 59-të. Në të 74-tën ishte radha e Tiranës për të fituar një penallti, ndërsa nga 11 metra distance, Latifi u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 2-2.
Atëherë kur gjithçka po shkonte drejtë fundit, në minutën e 90-të, bardheblutë fituan një tjetër penallti për prekje të topit me dorë në zonë. Këtë herë nga 11 metra distancë, Hasani u tregua perfekt duke përmbysur rezultatin në 3-2 duke bërë që Tirana të festojë për këtë fitore në derbi.