Çështja ‘Beleri’, mediat greke: Nëse dënohet nuk do të jetë kandidat, por nëse merr një leje…
Çështja ‘Bleri’ vijon të jetë në qendër të vëmendjes nga mediat greke.
Mediat greke shkruajnë se hendeku mes Athinës dhe Tiranës po rritet pas rrëzimit të kërkesës së fundit të kryebashkiakut të zgjedhur të bashkisë Himarë, Fredi Beleri, për lirimin e tij nga akuza e ‘shit-blerjes së votave’.
Çështja e Fredi Belerit, i cili qëndron në paraburgim në burgjet e Tiranës, duket se ka hyrë në ngërç, ndërsa pasojat diplomatike tashmë janë evidente në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Kërkesa e fundit për lirimin me kusht të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës u shqyrtua të hënën e kaluar nga Gjykata Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës dhe u rrëzua.
Po ashtu u rrëzuan të gjitha kërkesat e avokatëve të tij për të marrë qoftë edhe një licencë nga burgu që të betohet dhe të marrë zyrtarisht detyrat e tij.
Beleri qëndron në paraburgim që prej 12 majit me akuzën e tentativës për blerje votash dhe sipas ligjit zgjedhor shqiptar, nëse një kryetar bashkie nuk betohet brenda tre muajve, ai shpallet i shkarkuar dhe zgjedhjet përsëriten.
Sipas burimeve ligjore, megjithatë, ka dallime në mendime se kur skadon saktësisht afati tre mujor, duke qenë se nuk ka asnjë precedent për zbatimin e kësaj dispozite legjislative.
Disa burime ligjore pohojnë se tremujori është llogaritur në bazë të kohës kur është mbledhur këshilli i qytetit të Himarës, ndaj afati skadon në mes të shtatorit. Megjithatë, sipas autoriteteve zyrtare të Shqipërisë, afati tre mujor ka skaduar që prej datës 14 gusht.
Të gjitha mundësitë janë të hapura
Sido që të jetë, tashmë është evident rreziku që Beleri të humbasë detyrën, ndërkohë që nuk dihet ende nëse do të mund të kandidojë sërish dhe nëse do të shpallen zgjedhje të reja. Tirana ende nuk ka treguar shenja të synimeve të saj, pasi nëse dhe kur do të mbahen do të vendoset nga qeveria, e cila sipas të njëjtave burime, mund të interpretojë ligjin zgjedhor sipas dëshirës së saj.
Skenari më pozitivë për momentin është, nëse Tirana vendos t’i japë fund kësaj krize, që Belerit t’i jepet një leje administrative, qoftë edhe disa orëshe, për të bërë betimin.
Skenari i dytë është që qeveria shqiptare të shpallë zgjedhje në Heimarë me Belerin në paraburgim pa qenë i dënuar. Në këtë rast, ai do të ruajë dosjen e pastër kriminale dhe do të mundet, qoftë edhe nga burgu, të jetë sërish kandidat.
Skenari i tretë është që procesi i Belerit të vazhdojë menjëherë, para thirrjes për përsëritjen e zgjedhjeve. Nëse shpallet i pafajshëm do të mund të kandidojë sërish për kryetar bashkie, ndërsa nëse dënohet, nuk do të jetë kandidat.