Afera e inceneratorëve dhe koncesioni i sterilizimit, Tabaku: Puna e SPAK, për t’u vlerësuar. Nuk heqim dorë nga denoncimet
Deputetja e PD, Jorida Tabaku në rubrikën “Opinion” në News24 ka vlerësuar punën e SPAK për hetimet për inceneratorët si edhe për koncesionin e sterilizimit. Gjatë bisedës në studio, Tabaku tha se nuk do të reshtë së denoncuari abuzimet dhe korrupsionin në vend.
“Këtu bëhet fjalë për individë që erdhën me duar në xhepa dhe kishin lidhje me qeveritarë dhe që në mënyrë abuzive kanë ngritur një shtet të tërë në këmbë. Duhet të ketë edhe përgjegjësi ligjore, por edhe politikë”, tha Tabaku.
E ndalur tek menaxhimi i fondeve të BE, Tabaku shtoi se ka akuza shumë të rënda, dhe se kjo mbetet një njollë shumë e rëndë për Shqipërinë.
“Njolla në fondet IPARD, është një njollë për Shqipërinë dhe për t’u rikuperuar, kjo nuk është diçka e lehtë. Mendoj që shqiptarët e meritojnë që të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare. Deklaratat e kryeministrit i kam ndjekur me trishtim teksa është shprehur se nuk ka rëndësi tani më pasi procesi u hap, por ne duhet të vrapojmë. Ndërsa për Samitin e Berlinit për fondet, mendoj që do të jetë një proces tjetër, por shpresoj që qeveria shqiptare të ketë mësuar se askush nuk të jep asgjë dhe se duhet t’i fitosh”, tha ndër të tjera Tabaku.
()