Temperaturë e lartë, dhimbje fyti dhe të vjella, pediatrja Shahinaj për virozat stinore: Drejtohuni mjekut nëse keni këto simptoma
Pediatrja Valbona Shahinaj e ftuar në studion e rubrikës “Opinion,” në News24, foli për virozat stinore.
Shahinaj tha se gjatë kësaj periudhe janë në qarkullim dy viroza, njëra prej tyre shoqërohet me temperatura të larta, dhimbje fyti dhe kollë, ndërsa tjetra me temperatura më të ulëta, të vjella dhe diarre. Më tej bëri thirrje për të gjithë grupmoshat se nëse temperaturat janë të larta dhe zgjasin më shumë se 24 orë, duhet t’i drejtohen mjekut.
“Janë 2 viroza në qarkullim. Njëra paraqitet me temperaturë të lartë, por vlen të theksohet se kohëzgjatja shkon 2-3 ditë. Tjetra paraqitet me temperature më të lehta, deri në 38 gradë Celsius, me të vjella dhe diarre. Nëse kemi temperaturë agresive duhet të paraqitemi te mjeku, të paktën ditën e dytë. Kjo ka dhe shenja si dhimbja e fytit, kollë.
Antibiotiku është për rastet bakteriale, kur janë virozë nuk bën gjë. Madje do në sillte një përkeqësim të situatës. Këtë gjendje e shohim si te pacientët e vegjël, si dhe te të rriturit apo të moshuarit. Theksojmë se virozat janë ngjitëse, në varësi të afrimitetit fizik. Nëse ka temperaturë të larta, duhet konsumuar ibuprofeni, pasi e ka më të shpejtë efektin, ndryshe nga paracetamoli. Nëse nuk bie temperatura, duhet shkuar te mjeku.
Nëse e krahasojmë m vitin e kaluar, ka pasur numër të shtuar të virozave kjo dhe për shkak të temperaturave të larta. Të prekura janë të gjitha moshat”, u shpreh Shahinaj.
()