Wed, Nov 27, 2024

Pas “djegies” së 110 milionë eurove, qeveria rikthehet te ndarja në burim do të nisë në 6 bashki, marrëveshja me qeverinë gjermane

  • PublishedAugust 30, 2023

Gjashtë bashki në vend do të jenë pjesë e një projekti që do të ketë në thelb ekonominë qarkulluese.

Një marrëveshje që ka kaluar tashmë në Kuvend mes palës shqiptare dhe asaj gjermane nënvizon se përveç një ndihme financiare prej 6.5 milionë eurosh, do të vihen në dispozicion edhe shërbime, personel dhe materiale. Bashkitë që do të jenë përfituese të këtij projekti nuk bëhen të ditura në relacionin e publikuar.

“Projekti në fjalë ka si qëllim të kontribuojë në zhvillimin social dhe ekonomik në Republikën e Shqipërisë dhe fillon nga zbatimi në vitin 2023.

Marrëveshja për projektin “Ekonomia qarkulluese për zhvillimin e qëndrueshëm urban në Shqipëri” është një marrëveshje granti, e cila do të alokohet nga qeveria gjermane për mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për zhvillimin e instrumenteve ekonomike (p.sh. taksat e landfillit, subvencionet për impiantet e kompostimit).

Këto instrumente duhet të mbështesin ndalimin e asgjësimit të mbetjeve organike (të patrajtuara) në landfille, në përputhje me direktivën e BE-së për landfillin” thuhet në relacionin e qeverisë shqiptare që shoqëron marrëveshjen tashmë të dorëzuar në Kuvend dhe në pritje të miratimit.

Projekti do të ketë ndër të tjera në objektiv të tij përafrimin e legjislacionit vendas me atë të BE sa i takon pjesës së ekonomisë qarkulluese e cila në vendin tonë është një fraksion i vogël në fazë embrionale.

Së dyti sipas relacionit synohet krijimi i sistemit të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, për rrjedhat specifike të mbetjeve. Së treti ndërmarrja e masave zbatuese për sistemin e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve në bashkitë partnere dhe së fundmi përmirësimi i efikasitetit të burimeve, dizajnit ekologjik si dhe prodhimit të gjelbër.

“Projekti do të zbatohet në gjashtë bashki në nivel kombëtar. Zbatimi parashikohet të fillojë në korrik 2023 dhe të përfundojë në shkurt 2026” thuhet relacionin e marrëveshjes. Agjencia zbatuese nga pala gjermane do të jetë GIZ ndërsa institucioni shqiptar i ngarkuar do të jetë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Kthimi në vëmendje i ekonomisë qarkulluese vjen në një kohë kur menaxhimi i mbetjeve në vend është orientuar drejt projekteve të inceneratorëve të cilët së fundmi janë bërë objekt hetimi i SPAK.

Ekonomia qarkulluese e cila është një nga qasjet më të shpeshta që kanë vendet e zhvilluara ka në thelb një model prodhimi dhe konsumi, i cili përfshin ndarjen, dhënien me qira, ripërdorimin, riparimin, rinovimin dhe riciklimin e materialeve dhe produkteve ekzistuese për aq kohë sa të jetë e mundur. Në këtë mënyrë zgjatet cikli i jetës së produkteve. Të paktën ky është koncepti sesi Parlamenti Europian përkufizon ekonominë qarkulluese.

Inceneratorët kanë marrë nga buxheti deri tani 110 milionë euro
Ndërkohë, qeveria që prej vitit 2015 ka investuar përmes projekteve të partneritetit publik privat (PPP) në ndërtimin e tre inceneratorëve në Fier Elbasan dhe Tiranë për djegien e plehrave, ndonëse inceneratori është hapi i fundit i trajtimit të mbetjeve, pas ndarjes në burim dhe riciklimit. Të tre këto inceneratorë janë tashmë nën hetim nga SPAK, teksa kanë marrë së bashku pagesa nga buxheti në vlerën e gati 12 miliardë lekëve (110 milionë euro) .

Në 2021-2022 u hapën hetimet për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit. Sipas SPAK, nga hetimi janë gjetur shkelje të shumta, që fillojnë me procedurat për dhënien e koncesionet e më pas me falsifikime dokumentesh të pronësisë, krijimin e kompanive fiktive, faturime fiktive e dhënien e pagesave për punime që nuk janë kryer. Janë përdorur skema fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre.

Inceneratori i Elbasanit mori nga buxheti për periudhën 2015-2021, aq sa ishte dhe afati i koncesionit, rreth 2.4 miliardë lekë, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.

Inceneratori i Fierit mori për periudhën 2015-2022 rreth 4 miliardë lekë.

Në fillim të gushtit të këtij viti, SPAK nisi hetimin për inceneratorin e Tiranës. SPAK njoftoi se, po heton për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim.

Inceneratori i Tiranës ka marrë pagesa nga buxheti 5.5 miliardë lekë për 2019-2022, ndërsa në total ka arkëtuar, sipas bilancit rreth 9.9 miliardë lekë për shkak se merr dhe pagesa nga bashkitë dhe për shërbimin e heqjes së dherave./Monitor/

AlbaniaWeb.net