Wed, Nov 27, 2024

Plogështia e Vjeshtës – Përse Ndihemi Kaq të Lodhur me Ndryshimin e Stinës

  • PublishedAugust 30, 2023

Vjeshta është padyshim një nga stinët më të bukura të vitit.

Ajo ka një ushtri adhuruesish dhe të apasionuarish pas saj.

Megjithatë, ardhja e vjeshtës shoqërohet me një plogështi të thellë, arsyet e të cilës ekspertët i kanë kopsitur mjaft qartë.

Me ardhjen e vjeshtës, njeriu pëson një rënie të fortë të energjisë dhe ndihet tepër i lodhur,pa fuqi dhe me dëshirën e fortë për të fjetur me ditë të tëra.

Përse Ndihemi Kaq Të Lodhur Me Ardhjen e Vjeshtës?

Një nga arsyet e para që njeriu ndihet i lodhur është prania e viruseve në ajër të cilët shkaktojnë të ftohurën.

Këto viruse lulëzojnë më shumë në pranverë dhe në vjeshtë.

Arsyeja e dytë është dita më e shkurtër.

Vjeshta vjen dhe nuk i gëzohemi dot më ditëve të gjata plot me diell.

Mungesa e dritës së diellit ndikon direkt tek energjia e trupit dhe ndryshon disa prej ritmeve natyrale të trupit.

Ushqyerja ndryshon gjithashtu me ardhjen e vjeshtës.

Ushqimet bëhen më të rënda dhe njeriu i dorëzohet më lehtë joshjes së karbohidrateve tek makaronat apo gjellët e shtëpisë.

Ushqimet e pasura me sheqer dhe karbohidrate të përgjumin dhe të shterojnë energjitë.

Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që pavarësisht ndryshimit të stinëve, duhet të hamë më shumë fruta, perime, proteinë por edhe drithëra të plota.

Ardhja e vjeshtës shoqërohet me ndryshime në ciklin e gjumit.

Ka njerëz që flenë më pak, por me ndryshimin e orës mund të flemë edhe më shumë.

Fjetja e tepërt  por edhe mungesa e gjumit shkakton një rënie të nivelit të energjisë.

Pavarësisht ndryshimit të stinëve, ekspertët rekomandojnë 8 orë gjumë në ditë dhe zgjimin në të njëjtën orë çdo ditë.

Tek disa njerëz, ndryshimi i stinëve manifestohet me një formë depresioni si pasojë e ekspozimit të kufizuar ndaj dritës së diellit.

Simptomat e kësaj sindrome të njohur si “çrregullim emocional stinor” janë: acarimi, tensioni i lartë i gjakut, rëndimi i duarve dhe këmbëve.

Mes tyre renditet edhe nepsi për ushqime të pasura në karbohidrate dhe trishtimi./AgroWeb.org