Vllaznia në hall pas fitores. Një titullar me serume, një tjetër mbetet disa javë jashtë fushave
Pas dëmtimeve të titullarëve si Ardit Krymi dhe Marko Juriç, një tjetër problem për Vllazninë para ndeshjes me Erzenin, që do të luhet të premten në stadiumin e Rrogozhinës, është ai me mbrojtësin maqedonas, Konstantin Çeshmedjiev.
“Panorama Sport” mëson se lojtarin e ka kapur një virozë dhe ka marrë ndihmën e shpejtë në spitalin Rajonal të Shkodrës. Ai ka patur probleme shëndetësore të ardhura nga virozat e stinës dhe menjëherë ka marrë surume në urgjencën e spitalit. Më pas, në një gjendje jo të mirë, ka nisur regjimin e shtratit në banesën ku është akomoduar në Shkodër.
Mungesa e tij në stërvitje ka shtuar hallet për trajnerin Memelli, pasi Çeshmedjiev shihej si zëvendësuesi i Juriçit në qendër të mbrojtjes ndaj Erzenit. Ndërkohë, dje u konfirmua se kroati do të qëndrojë të paktën 3 javë jashtë fushave, pasi rezultoi se ka pësuar një tërheqje muskulore të gradës së dytë. PanoramaSport