“Flakë kashte si Kina”, Ceferin i bën bllokadë Arabisë Saudite: Klubet e tyre, jo në kompeticionet e UEFA-s
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka dhënë një intervistë për francezen “L’Equipe”, në të cilën ka analizuar lajmet e futbollit aktual, me largimet në rritje të futbollistëve drejt Arabisë Saudite dhe në horizont Ligën e re të Kampionëve, që do të fillojë sezonin e ardhshëm.
Ceferin, gjithashtu iu referua një Superlige që ai e konsideron se aktualisht nuk ka rrugë. Në deklaratat e tij, Ceferin e krahasoi ligën e Arabisë Saudite me Kinën, e cila para disa vitesh mori disa yje, ndonëse të gjithë në fund të karrierës së tyre, ndërsa tashmë edhe lojtarë me projeksion të ardhmen janë larguar nga Europa.
“Arabia Saudite nuk përbën rrezik. Ne pamë një qasje të ngjashme me Kinën, e cila bleu lojtarë në fund të karrierës së tyre, duke iu ofruar shumë para, por rezultoi si ‘flakë kashte’… Rezultati? Futbolli kinez nuk u zhvillua ose nuk u kualifikua në Kupën e Botës, pas kësaj. Nuk është kjo mënyra e duhur. Nëse duan të ecin përpara në futboll, duhet të punojnë në stërvitjen e lojtarëve dhe kualifikimin e trajnerëve, por ky nuk është problemi im”, – tha Ceferin.
Shefi ekzekutiv i UEFA-s e fokuson mesazhin e tij në faktin se lojtarët më të mirë, në rastin më të mirë, nuk kanë shkuar në Arabinë Saudite: “Ka lojtarë në fund të karrierës dhe të tjerë që nuk janë mjaftueshëm ambiciozë për të aspiruar gara të mëdha.
Me sa di unë, Mbappé dhe Haaland nuk ëndërrojnë për Arabinë Saudite. Lojtarët më të mirë në kulmin e futbollit të tyre nuk mendoj se shkuan në Arabinë Saudite. Kur njerëzit më tregojnë për lojtarët që shkuan atje, askush nuk e di ku ata luajnë”.
Ceferin nuk e sheh Arabinë Saudite si konkurrente, sot me turnetë e UEFA-s: “Kjo iu intereson kryesisht mediave, por jo edhe komunitetit evropian të futbollit. Do ta shohim, por nuk mendoj për asnjë sekondë se kjo mund të kërcënojë kompeticionet tona”.
Javët e fundit ka pasur shumë zëra që thonë se klubet e Arabisë Saudite mund të luajnë në Ligën e Kampionëve në edicionet e ardhshme. Aleksander Ceferin e mohoi një informacion të tillë:
“Një media foli për këtë, pa na pyetur fare ne. Vetëm klubet evropiane mund të marrin pjesë në Champions League, Europa League ose Conference League”.
Ceferin bëri të njëjtën gjë kur u përball me opsionin për një finale të Ligës së Kampionëve në SHBA në të ardhmen: “Vetëm Federatat Evropiane mund të aplikojnë për një finale, madje as klubet. Do të duhet të ndryshojmë të gjitha rregullat tona, por nuk e duam këtë”.
()