“Zhduket” Dybala, por ndaj Milan mund të debutojë Lukaku, rikthehet edhe Mou
Për të parë në fushë dyshen Dybala-Lukaku, tifozët e Romës duhet të presin ende. Stadiumi “Olimpik” pritet të jetë “full” për sfidën e së premtes kundër Milanit, por në fushë nuk do të jetë Dybala. Dëmtimi i tij kundër Verona-s nuk ka kaluar ende, Dybala nuk është stërvitur me pjesën tjetër të ekipit duke bërë që prezenca e tij në fushë të jetë e pamundur, madje nuk parashikohet të jetë as në pankinë.
Sipas mediave italiane, Dybala nuk do të grumbullohet as me përfaqësuesen argjentinase, në mënyrë që të qëndrojë në “Trigoria” për tu rikuperuar plotësisht. Ndryshe nga Dybala, Lukaku duket në formë, pavarësisht se gjatë kësaj verë është stërvitur i diferencuar me një trajner personal. Pavarësisht këtij fakti, as Lukaku nuk pritet të jetë në fushë nga minuta e parë, por në varësi se si do të shkojë ndeshja, Mourinho mund t’i rezervojë disa minuta. Menjëherë pas sfidës kundër Milanit, Lukaku do të bashkohet me përfaqësuesen belge për dy ndeshjet kualifikuese në shtator.
Lajmi i mirë për tifozët është rikthimi i Jose Mourinhos. Portugezi ka shlyer pezullimin me dy ndeshje dhe kundër Milanit do të drejtojë ekipin e tij nga pankina.
()