Wed, Nov 27, 2024

NOTAT/ Berisha makth i Juves, shkëlqejnë Ramadani, Bajrami e Gjimshiti. Asllani “zbut” Inzaghi-n

  • PublishedSeptember 4, 2023

Java e tretë e Serie A pa si protagonistë të gjithë legjionarët kuqezi, vetëm Ismajli nuk u aktivizua. Pa diskutim, vëmendjen më të madhe e mori Etrit Berisha. Më në fund, gardiani kuqezi gjeti një skuadër, u rikthye të luajë një sfidë si titullar me fanellën e Empolit duke dhuruar një paraqitje pozitive. Ky ishte lajmi më i mirë që mund të merrte Sylvinho përpara dy sfidave të shtatorit, Berisha jo vetëm luajti, por ishte protagonist duke i pritur një penallti Dusan Vlahovic.

Berisha Nota
Berisha Nota

Në përfundim të sfidës, u vlerësua me notën 6,5 pasi mbi të rëndon goli i dytë i shënuar nga Chiesa, dukshëm në kohë vonesë në daljen e tij. Më në fund, arrin të marrë pak minuta edhe Kristjan Asllani në sfidën kundër Fiorentinës, por ndeshja ishte e mbyllur pas hedhjes së tij në fushë, detaj ky që nuk i jep notë mesfushorit kuqezi, ndërsa Inzaghi u kujdes të theksonte pas ndeshjes se ka shumë besim tek ai.

Në vetëm tre javë, Ylber Ramadani ka fituar jo vetëm statusin si titullar te Lecce, por edhe vëmendjen e mediave italiane, të cilat folën me fjalë të mëdha për mesfushorin kuqezi pas suksesit 1-0 kundër Salernatina-s. “Bën gjithçka, shkatërron, ndërton, i jep ekuilibër ekipit”, nota 6,5 për Ramadanin, shkruan TuttomercatoWeb.

Një paraqitje pozitive zhvilloi këtë javë edhe Berat Gjimshiti, në fitoren e pastër 3-0 që Atalanta e tij arriti kundër Monza-s, konstant si gjithnjë në paraqitjen e tij, nota 6,5.

Rikthehet këtë javë si titullar edhe Elseid Hysaj. Anësori kuqezi ishte protagonist në suksesin 1-2 që Lazio e tij arriti në transfertë përballë Napolit. Nota 6 për Hysaj.

Nuk zbriti këtë javë si titullar, por Nedim Bajrami ndryshoi ritmin e lojës të Sassuolos, flirtoi edhe me golin në ndeshjen kundër Verona-s, nota 6,5 për Bajramin.

()

AlbaniaWeb.net