Operacionet antikanabis/ Balla: Shqiptarët presin një pastrim të territorit. Ndëshkim keqbërësve që kryejnë vepra penale në dëm të nxënësve
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përgëzuar Policinë e Shtetit për intensifikimin e operacioneve kundër kultivimit të lëndëve narkotike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Balla deklaron se shqiptarët presin një pastrim të territorit nga kultivimi i paligjshëm i bimëve narkotike.
Sipas Ballës kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka sjellë një rritje të përdoruesve, kryesisht në moshat e reja.
“Unë jam vetë prind dhe i mirëkuptoj të gjithë prindërit, gjyshërit, familjet shqiptare të cilët presin nga Policia e Shtetit më shumë rezultate në goditjen e trafikantëve dhe shpërndarësve të lëndëve narkotike pranë shkollave apo mjedise të tjera të frekuentuara nga të rinjtë. #PaketaeSigurisë në shkolla do të garantojë një PERIMETËR SIGURIE përreth shkollave dhe ashpërsim të ndëshkimit të keqbërësve që kryejnë vepra penale në dëm të nxënësve/të rinjve, me fokus të veçantë goditjen e rrjeteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike”, thekson ministri Balla.