Prestige në Champions, Hysko: Kërkojmë trofeun, kemi dy mungesa të mëdha, por do japim gjithçka për të fituar
Prestige MFC është gati për eksperiencën e radhës në Champions-in e minifutbollit, aktivitet që do të mbahet më datat 6-9 shtator në Oradea të Rumanisë. Pak ditë më parë kampionët e Shqipërisë njohën edhe kundërshtarët e fazës së grupeve, teksa shorti i vendosi në Grupin C, së bashku me ekipin Birbasha nga Azerbajxhani, me moldavët e Volta Chisinau dhe grekët Magufana FC Athinë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Eldiano Topi u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve, ndërsa sot do të niset drejt Rumanisë.
Në prag të debutimit sezonal në Champions, kapiteni i Prestige, Glibert Hysko, në në një prononcim për “Panorama Sport” flet për pritshmëritë dhe gjendjen e skuadrës, që në këtë eveniment vjen pa dy lojtarë kryesorë, si Fatmir Hysenbelliu dhe Klejdi Branica, të cilët nuk janë të disponueshëm për shkak dëmtimi.
“Jemi në prag të një kompeticioni që është shumë i rëndësishëm për ne. Shkojmë në këtë Champions me dy mungesa të mëdha, si Fatmir Hysenbelliu dhe Klejdi Branica, të cilët janë të dëmtuar dhe na kanë prishur shumë punë, por shpresojmë që të bëjmë më të mirën. Megjithatë në ekip kemi prurje të reja dhe shpresojmë që të ecim sa më mirë”, deklaron fillimisht Hysko, i cili më tej shton: “Është një kompeticion që po e presim me padurim, me shumë dëshirë dhe emocione. Si i thonë ‘po na hanë këmbët për të luajtur’”.
Ndërkohë i pyetur për kundërshtarët, Hysko shprehet: “Ne kundërshtarët i vlerësojmë të gjithë njësoj, si të fortë apo të dobët. Prestige përgatitet shumë seriozisht për çdo ndeshje. Përderisa kanë arritur të jenë pjesë e Champions-it, çdo ekip që do të kemi kundërshtar do të jetë i fortë, ashtu sikurse edhe ne do të bëjmë tonën”.
Në fund kapiteni i Prestige flet edhe për objektivat, me skuadrën që synon të përmirësojë rezultatin historik të vitit 2019, kur mbërrinte deri në gjysmëfinale, për të synuar tashmë trofeun: “Për mua është viti i katërt radhazi që marr pjesë në Champions me ekipin Prestige. Objektivi im kryesorë, ashtu sikurse edhe i të gjithë skuadrës, është fitimi i trofeut. Pra shkojmë me objektiva të qarta për tu përfaqësuar sa më mirë. Sigurisht rezultati që na kënaq është që të jemi në 3 vendet e para të kompeticionit. Jami shumë të karikuar dhe të gjithë presim me padurim ndeshjet, si ne lojtarët me eksperiencë, gjithashtu edhe të rinjtë që do ta kenë për herë të parë”, përfundon Hysko.
Prestige do të debutojë nesër në orën 17:00 me ndeshjen e parë ndaj moldavëve të Volta Chisinau, ndërsa të enjten e presin dy sfidat e tjera në grup, fillimisht kundër grekëve të Magufana në orën 12:00 dhe më pas ndaj azerëve të Birbasha në orën 18:00. Në Champions marrin pjesë 26 skuada të ndara në 7 grupe, ndërsa në raundin 1/16 kualifikohen vendet e para dhe të dyta, si dhe dy vendet e treta më të mira.