Krim me ‘clering’/ Gjoka pranoi ta bënte falas vrasjen për llogari të Martinajt. Si grupi i Bajrave planifikoi ekzekutimin e Dorian Dulit në varrimin e Indrit Rrajës
Në Shënjestër
Kush është Behar Brajoviq, emri i të cilit del në çdo komunikim në aplikacionin Sky ECC, në lidhje me ekzekutimet mafioze dhe planet për të eliminuar kundërshtarë dhe personazhe të rëndësishëm të krimit në Shkodër.
Cili është borxhi moral që ai i ka Pëllumb Gjokës?
Dhe pse ai i ndihet kaq shumë borxhli ndaj tij sa edhe vrasjet siç edhe vetë thotë,‘tia bëjë për qef’, pra falas jo në këmbim të parave.
I arrestuar në kuadër të operacionit OAZ, bashkë me kushërinjtë e tij, por edhe ata që konsiderohen si krahu i armatosur i grupit kriminal Bajri, mbi supet e Behar Brajoviq, rëndonin akuza të rënda.
Por, shpejt operacioni që bëri bujë do të s’fumohej dhe ditë pas dite të gjithë anëtarët e grupit do të linin qelitë.
Nga ku tashmë del qartë se grupi Bajri kishte arritur deri aty sa jo vetëm të kishte nën kontroll policinë, por edhe të korruptonte njerëzit e drejtësisë, sikurse rezulton nga dosja e SPAK.
Po për të kuptuar se kush është Behar Brajoviç, mjafton të shikojmë mënyrën se si u lirua nga qelia dhe ndihma që i dhanë Pëllumb Gjoka dhe miku i këtij të fundit, prokurori Xhevahir Lita.
Të cilët siç shikohen edhe në këto biseda angazhohen maksimalisht që Behar Brajoviq jo vetëm të lirohet nga akuzat që rëndojnë mbi të, por edhe të dalë nga burgu.
Biseda të cilat fillojnë dhe zhvillohen më datë 8 qershor 2020.
Kohë kur Behar Brajoviq, ishte ende në qeli.
Dosja Hetimore
Më datë 8 Qershor 2020 në orën 12:52 poseduesi U2BA3G (Behar Brajoviq) komunikon me Pëllumb Gjokën. Ai e vë në dijeni se ‘Bardhi’ i ka thënë që dje (7 Qershor) gjyqi do të shtyhet dhe se i ka thënë shoqes së ‘Lopatës’ Behar Brajoviq që t’i thotë Beharit që të rri rehat pasi të enjten (11 Qershor) del.
Ai ka dërguar mesazhet: ‘Po fola me Bardhin. Më tha që ja kam thon që dje që po shtyhet…. Dhe do ja len të enjte.
Bardhi më tha i kam thënë shoqes së ‘Lopatës’.
SPAK pas sigurimit të bisedave të bëra në telefonat e inkriptuar që iu vunë në dispozicion nga francezët, bëri edhe këqyrje të fashikullit gjyqësor në Gjykatën e Apelit
Shkodër, ku ishte shqyrtuar ankimi i Behar Brajoviq.
Siç rezulton, biseda përputhet me atë çfarë kishte ndodhur në proces.
Seanca në Gjykatën e Apelit ishte shtyrë për në datën 11 Qershor 2020 ora 11.50 për shkak se ndodhej në kushtet e mosformimit të trupit gjykues.
Sipas SPAK, dyshohet se Bardhyl Mavraj, vëllai i Safet Bajrit, njëherazi djali i xhaxhait të Behar Brajoviq, ka njoftuar Jorida Muratin për shtyrjen e seancës gjyqësore.
Murati sikurse rezulton ishte e dashura e Behar Bajrit, e cila u arrestua edhe në kuadër të operacionit OAZ.
Dosja Hetimore
Më datë 14 Qershor 2020, Pëllumb Gjoka i kërkon Xhevahir Litës që ‘Daci’ Behar Brajoviq të mos të hetohet për 2 vrasjet, se përndryshe ‘ngel’ në burg, si dhe shpreh interes për një dosje tjetër.
Kërkon MHSE7L (Xhevahir Lita) të diskutoj me ‘Lazrin’ pasi ditën e nesërme (15 Qershor, ditë e hënë) shqyrtohet ne Apel kërkesa tjetër për zëvendësim mase, pas njoftimit të akuzës që i është bërë ‘Dacit’.
Xhevahir Lita e sqaron në orën 20:39:31 duke dërguar mesazh: ‘…o vlla nesër është për atë që nuk është këtu, ‘Daci’ ka mbaru punë’.
Më datë 21 Qershor 2020, ditë e hënë, në orën 15:46 Behar Brajoviq duke përdorur U2BA3G komunikon me Pëllumb Gjokën dhe e pyet nëse ka komunikuar me ‘Xhevin’ (Xhevahir Lita) se çfarë po bëhet me çështjen e tij (Beharit).
Behar Brajoviq i tregon se në burg po e mbajnë kundërshtarët e tij dhe se ata duan të godasin atë edhe ‘Xhevin’ por njohin të afërmit e tij e nuk mund të veprojnë.
Behari i tregon se ‘Xhevi’ ka ngrënë bukë disa herë në shtëpinë e Behar Bajrit dhe këtë gjë e dinë edhe kundërshtarët.
Mesa duket lirimi i Behar Brajoviq, nuk vonon. Vetëm një javë më pas gjithçka duket e përfunduar.
Dosja Hetimore
Më datë 29 Qershor 2020 në orën 16:34, Pëllumb Gjoka i dërgon mesazh: ‘…Ma në fund…’
Xhevahir Lita shprehet ‘. . ke rënë rehat tani..’
dhe Gjoka ja kthen me mesazh: ‘…Të dali ‘Daci’ i her…”.
Në vazhdim Lita dërgon mesazhet “… iku ai muhabet …tani thuaj merru vetë se ka punë përsëri…’.
Në orën 16:48, Gjoka dërgon mesazhet:
‘.. Vlla te pruni Eni 500 000.. Jepi sa të dojn.. Nuk ja ban ma burgun. Pranoje se të ka ba ftes dac i vogël…”.
Ku dyshohet se për ndryshimin e masës së sigurimit të Behar Brajoviq janë dhënë/ofruar një shumë parash.
Sipas fashikullit hetimor, në këtë datë, me vendim Nr.307 datë 29 Qershor 2020 gjykata e Shkodrës, ka vendosur ndryshimin e masës së sigurimit personal ndaj Behar Brajoviq nga arrest me burg në atë të detyrimit për paraqitje në policinë gjyqësore, dy herë në javë.
Pas kësaj fitore, Behar Brajoviq, përgëzon mikun e tij prokuror.
Dosja Hetimore
Më datë 30 Qershor 2020, Xhevahir Lita merr kontakt me Behar Brajoviq.
Ku ky i fundit i dërgon mesazhin.
’Daci’ vogël jam…ta paça borgj vlla.
Ta po rrim një dit…Tiran jam…’
Lita e pyet se çfarë po bën dhe se ku ndodhet.
Po ashtu ai orienton ‘Dacin’ se si do veprohet më tej.
Por duket se Behar Brajoviq, edhe pse sapo ka lënë qelinë, nuk ka hequr dorë nga veprimet e tij të dhunshme.
Në një bisedë tjetër ai kapet duke rrëfyer se si e ka kërcënuar një gjyqtar, që mesa duket ka bërë rezistencë për të mos e liruar atë nga burgu.
Dosja Hetimore
Behar Brajoviç komunikon me Pëllumb Gjokën ku i tregon se është takuar me prokurorin Xhevahir Lita në ambientet e prokurorisë dhe i ka kërkuar atij që të flasë me një gjyqtar.
Gjatë kësaj bisede ai tregon edhe për mënyrën e dhunshme të presionit që ka kërkuar ti transmetojë gjyqtarit lidhur mbi një vendim.
Ai dërgon mesazhet.
‘…Isha në prokurori sot takova Xhevin…’
Pëllumb Gjoka i dërgon mesazh: ‘Ça të tha…’
Behar Brajoviq i përgjigjet: ‘….I thash fol me gjyqtarin… …çoji të fala në emër tem se nuk du gja gratis. O kryje e merri lekt ose un në male ti në vorr, i thash ti thotë…’
Në një moment tjetër Behar Brajoviq, i kërkon prokurorit Xhevahir Lita, t’i zgjidhë edhe problemin e të vëllait, që e ka në burg.
Dosja Hetimore
Behar Brajoviq i tregon se ka shqetësim me zgjidh edhe një problem të vëllait te tij, dhe e pyet se sa duhet me i dhënë ‘atij’.
Xhevahir Lita e sqaron:…Ai nuk është atje. Ai është akoma aty ku ishe ti.
Nuk ka shku atje për atë vazhdon te ne akoma… Ai është shumë problem nuk kryhet…’.
Behar Brajoviq i përgjigjet Xhevahir Litës. ‘Ndaji ti me të, dhe i qind mijë euro i ke kur dush…rregulloji vet me të…’
Dyshohet se Behar Brajoviq kërkon që me zgjidhjen e problemit të vëllait Enver Bajri, të merret Xhevahir Lita, dhe i ofron para prokurorit dhe gjyqtarit në këmbim të zgjidhjes së çështjes penale të Enver Bajrit.
Ndërkohë që bëhen këto biseda në gjykim është edhe çështja ndaj Astmer Bilalit.
Mikut të Behar Brajoviq.
I njohur si krahu i armatosur i grupit Bajri.
Për të cilin është ndërhyrë që edhe ky ti shpëtojë burgimit.
Dosja Hetimore
Më datë 23 Korrik 2020, Behar Bajroviq komunikon me Astmer Bilalin dhe i tregon se duhet të paraqitet patjetër që ti ndryshoj masa, ndryshe i shtyhet gjyqi dhe i ikën masa e arrestit në shtëpi.
Astmer Bilali i dërgon mesazh: ‘…Po ma po s’kam rrug tjetër …’
Behar Bajroviq i tregon se po flet me ‘të’ Xhevahir Litën në atë moment.
Pasi komunikimit me Astmer Bilalin, Behar Brajoviq njofton Xhevahir Litën se ndodhet në Tiranë.
Ndërkohë Xhevahir Lita në orën 15:49 i kthen përgjigje: ‘…Takohemi nga darka…unë te shpia jam…’.
Në orën 19:30, Xhevahir Lita i kërkon Behar Brajoviq të vi tek Sanatoriumi.
Pas takimit me Xhevahir Litën, ky i fundit dyshohet se ka vënë në dijeni Behar Brajoviq se çfarë ka ndodhur me Astmer Bilalin.
Behar Brajoviq komunikon me Astmer Bilalin dhe se si do veprohet me tej me të.
‘….Ke dal në kërkim…mshehu…se po të kapin… deri në tetor kryn pun…’.
Në muajin tetor, Xhevahir Lita, duket se ngrihet në detyrë.
Nga një prokuror i thjeshtë në zv/ prokuror në Prokurorinë e Shkodrës.
Gjë që sjell gëzim te lidhjet e tij me botën e krimit në qytet.
Siç është edhe kjo bisedë e zhvilluar mes njërit prej tyre dhe prokurorit Xhevahir Lita.
Më datë 28 Tetor 2020, nga komunikimi midis Xhevahir Litës dhe Pëllumb Gjokës kuptohet që Lita është emëruar Zv/prokuror, pasi Gjoka i dërgon mesazhin: ‘… Je ba mendjemadh tash që u bane zv/prokuror…’
Ngritja e Xhevahir Litës në detyrë si zv/Prokuror, duket se ka rritur edhe stekën e kërkesave të grupit kriminal të cilin ai ka ndihmuar kohë pas kohe në Shkodër.
Ngjarja për të cilën ata interesohen tashmë që tja hedhin pa lagur është ajo e goditjes me armë pranë një karburanti, të makinës me të cilën udhëtonte Taulant Pepaj.
Ku kërkojnë që Xhevahir Lita të ndërhyjë për të shpëtuar nga burgu Arsid Bashlin, djalin e Bardhyl Mavraj, djalin e xhaxhait të Behar Brajoviq.
Dosja Hetimore
Më datë 23 Shkurt 2021, 9E6STL interesohet për ngjarjen që ka ndodhur në Shkodër dhe i kërkon që nëse mund të bëjë diçka, ta bëjë veç për të (9ESTL) ose për ‘Bardhokun’ nëse ndërhyn, për askënd tjetër.
Biseda e kësaj date, dyshohet se lidhet me ngjarjen e ndodhur në Shkodër, ku është qëlluar me armë zjarri ndaj Taulant Pepaj dhe ‘Bardhoku’ për të cilin flet Behar Brajoviq, është shtetasi Bardhyl Mavraj, djali i xhaxhait të tij.
Më datë 2 Mars 2021, Behar Brajoviq pyet Xhevahir Litën nëse ka komunikuar me gjyqtarin dhe se ku do t’i nisi paratë pasi ka folur.
Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, personat që kanë qëlluar ndaj Taulant Pepaj dhe Kolec Markut janë tre të tillë.
Dhe udhëtonin me dy makina. Ngjarje e ndodhur më datë 21 shkurt 2021 në Shkodër.
Lidhur mbi këtë fakt, po këtë ditë, pas referimit të oficerëve të policisë gjyqësore Luan Hamzallari dhe Elton Myrtaj, prokurori Xhevahir Lita ka regjistruar procedimin penal.
Nr.193 për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit’.
Persona të dyshuar nga policia gjyqësore ishin Eljon Hato, Shkëlzen Xhenje, Arsad Bashli dhe Behar Zagani.
Pas fillimit të hetimeve paraprake, Eljon Hato, Bardhyl Mavraj dhe Arsad Bashli identifikuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë dhënë një shumë parash prokurorit Xhevahir Lita identifikuar si përdorues i Sky ECC ‘MHSE7L’ me qëllim devijimin e hetimeve dhe shmangen e ndjekjes penale për autorët.
Shuma e parave është siguruar nga Eljon Hato dhe Bardhyl Mavraj i cili ka diskutuar paraprakisht me prokurorin Xhevahir Lita lidhur me shumën dhe kjo shumë i është dorëzuar nga Arsad Bashli në Tiranë.
Pasi ka marrë paratë SPAK thotë se prokurori Lita orienton të dyshuarit se çfarë duhet të deklarojnë me qëllim që çështja të mbyllet në favor të tyre.
Dosja Hetimore
Pasi ka rënë dakord për shumën e parave, Xhevahir Lita ka ndihmuar duke i dhënë informacione lidhur me veprimet hetimore që po kryhen, ka dhënë orientimet se si dhe çfarë duhet të deklarojnë në policinë gjyqësore, si dhe nuk ka kryer veprime të tjera që mund të çonin në identifikimin e autorëve. Po kështu ka shmangur nga ndjekja penale Eljon Haton dhe Arsad Bashli duke akuzuar si autor të ngjarjes Shkëlzen Xhenje, për të cilin ka lehtësuar akuzat penale për të cilat është regjistruar procedimi penal duke e akuzuar për veprat penale
‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”.
MHSE7L (Xhevahir Lita) i shpreh shqetësim nëse komunikon me ‘Arsad Bashli’ dhe babain e tij.
Por më pas i thotë që do i shoh vetë këto gjëra.
Ai në vijim dërgon mesazh duke i thënë të ketë kujdes mos të flasë në telefon.
‘..Tani kuptoje janë 50 veta në ………. mos fol më për këto gjëra rri.
Vetëm thuaj s’di gjë dhe s’merrem me këto fare. ok… po mos fol në tel.”
Ky mesazh krijon dyshim se ‘50 veta’ nënkupton një shumë parash që kërkohet për të zgjidhur çështjen përndryshe ai nuk merret fare.
Episodi i fundit, por aty nga ku filloi edhe operacioni’ Metamorfoza’, ku tashmë në pranga kanë rënë biznesmeni Pëllumb Gjoka, prokurori Xhevahir Lita, ish-shefi i krimeve në Policinë Shkodër Ardrit Hasanbega dhe Oltian Bistri ish- shef i Forcave të Posaçme Operacionale, por edhe Astmer Bilali dhe Edmond Preka, është ai i tjetërsimit të një sipërfaqe prej 39 hektarë në fshatin Pulaj në Velipojë.
Pronë e cila i ishte kthyer shtetases së ndjerë Drande Hoti Gjoka.
Por që familjarë të saj në muajin janar 2023 kallëzuan në SPAK se testamenti i lënë nga e afërmja e tyre ishte falsifikuar.
Lidhur mbi këtë fakt, më parë janë bërë disa kallëzime në Prokurorinë e Shkodrës si dhe më datë 9 Janar 2023, është kallëzuar edhe në
Prokurorinë e Posaçme, kallëzim mbi të cilin është regjistruar procedimi penal Nr.09 i vitit 2023.
Më datë 12 Nëntor 2020, Pëllumb Gjoka i kujton Xhevahir Litës një porosi qe i ka lënë. Lita i përgjigjet që e ka në vëmendje.
Po më datë14.11.2020, diskutojnë edhe për tërheqjen e disa shkresave nga arkiva.
Nga të dhënat e përftuara nga komunikimi i datës 23 Shkurt 2021, referuar fashikullit penal Nr.751/2020 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, rezulton se më datë 24 Shkurt 2021, oficeri i policisë gjyqësore Çlirim Halili ka mbajtur procesverbal me shkrim të lirë dore për marrjen e të dhënave nga shtetasja Drande Hotaj dhe si i pranishëm në këtë procesverbal ka nënshkruar shtetasi Enea Liza Hoti.
Gjithashtu po këtë datë, Xhevahir Lita ka biseduar edhe me Pëllumb Gjokën lidhur mbi një akt ekspertimi për të cilin ky i fundit është në dijeni.
Xhevahir Lita i ka dërguar mesazhet “.
‘…Shih se ndoshta ka bërë një vendim përkryerje e ekspertimit e prokurës…takova dhe Valbonën dhe më tha se ka marrë mostra për t’i dërguar për ekspertim…
Unë jam e bindur, por më tha thuaj Pllumit të kapë dikë që të dalë tamam.
Po edhe këtij akti ekspertimi bjeri mbrapa që të qepet mirë si dosje se ai kolegu im…’.
Pëllumb Gjoka i kërkon që ta mbyllë si çështje dhe i dërgon mesazhet:
‘…Ti kërkoja nesër për ta myll…Se edhe një kafe të duhet ty…
Mik më ke edhe të kam, po çdo gja ka lezetin e vet. Më shkon mua se kafja është bereqet…
Kshu që kujtoju nesër ti japësh drejtim…’
Lita i përgjigjet se i ka marrë përgjigjet i ka fotokopjuar por ka harruar t’i marrë për t’ia treguar Gjokës.
Xhevahir Lita e mbyll bisedën duke dërguar mesazh: ‘…le të bëjmë dhe këtë ekspertim, të dalë se ka firmosë vetë Dranja te prokura dhe pastaj të haje një m.. ai kolegu im…’.
Por ajo që e rëndon edhe më shumë pozitën e ish zv/ prokurorit Xhevahir Lita, është fakti se ai del se është angazhuar në mbylljen e kallëzimeve të ngritura në vitin 2020 nga familjarë të Drande Hotaj.
Por siç thamë prokurori Xhevahir Lita apo shefi i krimeve në Shkodër, Ardrit Hasanbegaj, nuk ishin të vetmit të dyshuar në shërbim të krimit.
Oltian Bistri që në vitin 2019-2020, mbante detyrën e shefit të komisariatit nr 2, është një tjetër emër që del në bisedat e SKY ECC.
Dosja Hetimore
Lidhur mbi episodin e shpërdorimit të detyrës dhe nxjerrjen e sekretit hetimor nga ish-Shefi i Operacionales, Oltian Bistri, referuar bisedave të realizuara në SKY ECC në periudhën kohore nga data 25 Nëntor 2019 deri më datë 28 Prill 2020 ndërmjet tij dhe shtetasit Pëllumb, dyshohet se ky i fundit zhvillon aktivitetin e lojërave të fatit ne kundërshtim me ligjin dhe Bistri i krijon lehtësira duke përdorur mundësitë që i ofron pozicioni i punës si shef i komisariatit të Policisë nr.2 Tiranë.
Më datë 7 Dhjetor 2019, Oltian Bistri i shkruan Pëllumb Gjokës: ‘Kanë hap hetim për një tavolinë ata…
Ty të duhen më lek, jo si ata andej. Prit njëherë te mbarojë aksioni.
Unë e bëra për ty, s’më ngrenë ato lekë që marr. Edhe për anë morale… Vetëm këto sa bëjnë, ti lutem Rebos. Ai lekë do marrë dhe kot si merr. Se di pse ka frikë.
Më 28 Dhjetor 2019, Pëllumb Gjoka komunikon me Oltian Bistrin.
Ky i fundit i shkruan: ‘Ka qenë qetësi kaq kohë. Sot nga ora 7 pati nja dy telefonata, ka kazino, ruletë etj. Po s’ka problem, se i thashë çunave e bënë sikur erdhën dhe nuk konstatuan gjë.
Në një tjetër bisedë, Oltian Bistri e këshillon Pëllumb Gjokën që të mos e hapë për ca ditë kazinonë.
Sepse Operacionalja do jetë në qarkullim për kontrolle.
Dosja Hetimore
Më datë 18 Shkurt 2020 ora 11.32, Pëllumb Gjoka flet me Bistrin. Ky i fundit i shkruan: Nesër mos e hap. Këto 2 -3 ditë. Mos i thuaj njeriu. Nesër ka aksion Operacionalja në zonën time. Të lutem mos e diskuto me asnjë se më prish shumë punë. Po mora vesh se do të vijnë aty tek ti do të them vetë.
Në një tjetër rast Oltian Bistri e informon Pëllumb Gjokën edhe për një person që është shpallur në kërkim.
Dosja Hetimore
Oltian Bistri pyet Pëllumb Gjokën: E njeh këtë?
I ka dalë urdhri për paketim por mos i thuaj njeriu. Mendova se e ke shok ndaj ta thashë. Qendra e kërkon.
Më datë 25 Mars 2020 Gjoka komunikon me Bistrin: Ky i fundit i shkruan. Rebo s’do, ka frikë. Janë dy zv. për kë thua?
Por a është ky fundi i ‘Metamorfozës’, shndërrimit të shtetit në një patericë të krimit?
A do të gëlltisë në vazhdim ‘Metamorfoza’ të tjerë emra dhe a ka aty edhe politikanë të përfshirë në krim?
Kjo mbetet për t’u parë, por e sigurt është që kjo dosje sot është prova më e qartë se si shteti është kthyer në një vasal që i shërben krimit. Dhe se si policia dhe drejtësia duhet të meritojnë një tjetër operacion atë të pastrimit rrënjësor nga elementët kriminalë brenda tyre.
()