Thu, Nov 28, 2024

Forumi Ekonomik Izraelit, Veliaj: Muajin tjetër hapim zyrtarisht Piramidën, qendrën më të madhe të teknologjisë digjitale

  • PublishedSeptember 7, 2023

Forumi Ekonomik Izraelit, Veliaj: “Muajin tjetër hapim zyrtarisht Piramidën, qendrën më të madhe të teknologjisë digjitale”

Piramida është gati të hapë dyert për të gjithë ata të rinj që duan të aftësohen në teknologjinë digjitale. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë fjalës në Forumin Ekonomik të Izraelit, u shpreh se kryeqyteti shqiptar do të kthehet në epiqendrën e teknologjisë në Ballkan.

“Muajin tjetër do të hapim zyrtarisht qendrën më të madhe të teknologjisë digjitale, kryesisht për adoleshentët, mosha 12-18 vjeç, të cilët do të përgatiten për punët e së ardhmes. Është një ndërtesë ikonike e Tiranës, e konceptuar si mauzoleum për ish-diktatorin, e cila i ka kaluar të gjitha fazat: nga një qendër e NATO-s, në një klub me emrin “Mumja”, te një rrëshqitëse e madhe në natyrë e një zonë e braktisur, sot është zona që do të gëlojë nga rinia, punët dhe dijet e së ardhmes,” deklaroi ai.

Ai tha se kompanitë më në zë izraelite janë të ftuara të vijnë në Tiranë, edhe në Zonën e Lirë Ekonomike, TEDA, e para dhe e vetmja e licencuar në Shqipëri.

“Sot kemi filluar punimet edhe në Zonën e Lirë Ekonomike – TEDA. Jemi bashkia e parë, e vetme për momentin, që është licencuar nga qeveria shqiptare për të qenë operator i një zone të lirë ekonomike dhe jam shumë krenar që, në fakt, kompanitë e para që kanë aplikuar dhe që po përgatiten të marrin lejet për të filluar kapanonët e tyre janë kompani nga Izraeli, kryesisht që merren me transferimin e serverave e shumë rrjeteve sociale të Ballkanit në Tiranë”, u shpreh më tej kryetari i Bashkisë.

AlbaniaWeb.net