KAS rrëzon kërkesën e Bashës për komisionerët në Kukës
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS, rrëzoi të enjten kërkesën e Partisë Demokratike të përfaqësuar nga Lulzim Basha për të pasur të drejtën e propozimit të dy anëtarëve të KZAZ-së për zgjedhjet në bashkinë e Kukësit që mbahen më 24 shtator.
Basha kërkonte rrëzimin e një vendimi të mëparshëm të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, sipas të cilit, kjo parti kishte të drejtë të propozonte vetëm një anëtar në KZAZ-në e Kukësit.
Sipas argumentimit të Celibashit, në zgjedhjet e fundit vendore të 14 majit, PD-ja zyrtare ishte renditur si parti e tretë pas Partisë së Lirisë, e cila drejtoi koalicionin “Bashkë Fitojmë”, në listën e të cilit garoi pjesa tjetër e PD-së e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Sipas formulës së përcaktuar në Kodin Zgjedhor, partia më e madhe e mazhorancës dhe ajo e opozitës kanë të drejtë të propozojë nga 2 anëtarë dhe partitë e dyta propozojnë nga një anëtar.
KAS e mori në shqyrtim kërkesën të mërkurën dhe të enjten pasi një vendim i Kolegjit Zgjedhor e detyroi që ta pranojë dhe të rrëzojë një vendim të mëparshëm të këtij organi për të mos e marrë në shqyrtim.
Në parashtrimin e kërkesës para KAS, përfaqësuesi i PD-së, Indrit Sefa, pretendoi se PD-ja ishte parti e dytë duke kundërshtuar vendimin e Komisionerit për të llogaritur votat e koalicionit “BF” si vota të partisë kryesore të koalicionit.
Ai kërkoi të dinte nga KQZ se sa këshilltarë bashkiakë kishte aktualisht PL në bazë të deklarimeve të përkatësisë partiake të tyre në konstituimit të këshillave, duke kërkuar që përllogaritja e votave të bëhej në bazë të këtyre mandateve.
Sipas informacionit të sjellë nga KQZ, vetëm në 53 bashki këshilltarët kanë deklaruar përkatësinë partiake në mbledhjen e konstituimit dhe nga këto deklarime llogariten 113 këshilltarë të PL-së, ndërsa në 8 bashki të tjera këshilltarët e opozitës janë deklaruar si të koalicioniot “BF”.
Sefa i kërkoi KAS që të bëjë përllogaritjen e votave të partive të opozitës në bazë të këtyre të dhënave.
Por, duke shpjeguar vendimin e marrë me shumicë votash, anëtari i KAS-it Ledio Braho i tha BIRN se: “nuk mund të merret si argument, sepse deklarimi i këshilltarëve është fluid”.
“Pavarësisht listës me të cilën janë zgjedhur, ndryshon në çdo rast”- tha ai duke shtuar se vendimi i KAS u bazua në jurispudencën e Kolegjit, sipas së cilës, të drejtat dhe detyrimet i merr përsipër partia udhëheqëse e koalicionit.
Konflikti mes PD-së u zhvendos përsëri para KAS-it të enjten me një tjetër kërkesë të grupimit të Berishës, i cili kërkonte ç’regjistrimin e PD-së së Bashës dhe regjistrimin e tyre si subjekt zgjedhor me të njëjtën emër në zgjedhjet e Kukësit.
Pasi dëgjoi pretendimet e dy palëve se kujt i takon të përfaqësojë ligjërisht demokratët si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e Kukësit, KAS vendosi të rrëzojë ankimimin e grupimit të Berishës për t’u regjistruar në këto zgjedhje.
Partia e Bashës fitoi kështu të drejtën për të garuar në Kukës, ndërsa grupimi i Berishës ka kërkuar që të regjistrojë kandidatin e tij për këtë bashki, Emri Vata, nën siglën e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.
Zgjedhjet e parakohshme në qytetin verior bëhen për të zëvendësuar kryebashkiakun e shkarkuar, Safet Gjici, vetëm pak javë pasi ishte rizgjedhur për një mandat të dytë nën siglën e Partisë Socialiste.
Gjici u shkarkua nga Këshilli i Ministrave në qershor pas publikimit të një videoje që e ekspozonte duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrë. Ai u arrestua pak ditë më vonë me akuzën e “korrupsionit pasiv”.