Mbledhja e demokratëve/ “Takimet me Bardhin do vazhdojnë”, Berisha: Kreu i grupit parlamentar do përcaktohet…
Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur gjatë një interviste mbrëmjen e sotme në lidhje me takimin e zhvilluar këtë javë me Gazment Bardhin dhe deputetët e tjerë krahë tij.
Berisha u shpreh se mbledhja ishte një zhvillim i rëndësishëm dhe hap i natyrshëm në drejtimin e duhur, ndërsa shtoi se mbledhja ka kapërcyer mbi problematikën e krijuar.
Ai u shpreh se deputetët që drejtohen nga Gazment Bardhi kanë meritë për pranimin e procesit të Primareve dhe kandidatët e dalë nga ky proces.
Berisha zbuloi se takimet do të vazhdojnë në të ardhmen në mënyrë që t”u jepet përgjigje gjithë problematikave që presin zgjidhje mes demokratëve.
Sa i takon kreut të grupit parlamentar të PD. Berisha u shpreh se ai do të përcaktohet nga deputetët e PD-së në takimet progresive që do bëhen.
Pjesë nga intervista:
Pas gati 2 vitesh një mbledhje e grupit parlamentar të PD-së jo për probleme të brendshme, po për tu përballur me Edi Ramën. 2 vite parlament dhe vetëm pas 2 vitesh, një mbledhje që ka si objekt betejën me regjimin e Edi Ramës.
Berisha: Mendoj se mbledhja ishte një zhvillim i rëndësishëm, ishte një hap i natyrshëm në drejtimin e duhur dhe i rëndësishëm në disa aspekte. Kjo mbledhje e thirrur nga Gazment Bardhi, kapërcej mbi problematikën, e cila ka ekzistuar, nuk mund të themi se nuk ka ekzistuar, por kapërcej mbi këtë problematikë për qëllime dhe objektiva shumë më të mëdha. Dua të shpreh këtu që të jemi korrekt, deputetët që drejtohen nga Gazment Bardhi kanë meritën e padiskutueshme të cilën unë e kam shprehur në mënyrë të përsëritur sepse ata pranuan primaret dhe kandidatët e primareve. Me këtë akt, ata dëshmuan mbështetjen tek liria, vota e lirë në gjirin e PD-së. E kam thënë që atëherë dhe e them përsëri, që ky akt programor në themele të PD-së, ishte një kontribut dhe investim i madh që ata bënë. Ka patur, padiskutim kundërshtira, probleme, por në tërësi ata deputetë që ju patë të mbledhur së bashku, plus disa të tjerë që nuk ishin dhe të tjerë që mund të bashkohen, janë deputetët e PD-së dhe ky ishte një zhvillim shumë pozitiv. Ju shtruat problemin se çfarë do të bëhet në të ardhmen? Takimet do të vazhdojnë në mënyrë që tu japin përgjigje të gjitha problemeve që presin të zgjidhjen, po me këtë vullnet të mirë, shkallë përgjegjësie dhe gatishmëri.
Kush është kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike?
Berisha: Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike do të përcaktohet në takimet progresive që do të bëhen. Një gjë është si sigurt. Kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike do ta zgjedhin deputetët e Partisë Demokratike. Do të vazhdojë takime siç u lanë. Takimet kanë një pozitivitet të padiskutueshëm, do të përcaktojnë axhendat. Ishte shumë e rëndësishme axhenda që u përcaktua. Axhenda të tjera do të vijnë por ecet drejt një procesi të cilën e mirëpresim të gjithë demokratët dhe opozitarët e vërtetë.