“I befasuar nga përballja me Çekinë”, Shpëtim Duro: Ja frika ime
Shqipëria doli me pikë mbrëmë nga Çekia, duke marrë kështu një barazim (1-1) shumë të vlefshëm në rrugën e gjatë dhe të vështirë drejt Euro 2024.
Shpëtim Duro, trajneri i mirënjohur shqiptar, në një intervistë ekskluzive për “News24”, në emision Sport News të moderuar nga Trevisa Tufa dha mendimin e tij për takimin e luajtur në Pragë. Duro u shpreh optimist për të ardhmen e kuqezinjve, ndërsa theksoi se grupi mund të rritet akoma më shumë.
Çfarë shije të la kjo pikë profesor, si e përjetove këtë sfidë përballe Çekisë?
E përjetova ndeshjen me emocion si çdo shqiptar. Dy ndeshjet paraardhëse, dy fitoret me Moldavinë dhe Ishujt Faroe kishin krijuar një ambient jashtëzakonisht pozitiv. Ndeshja me Çekinë ishte pozitive, pati shumë përkrahës për kuqezinjtë.
Kishim përballe një rival të fortë, një kundërshtar me mjaft përvojë. Jam befasuar nga paraqitja e ekipit, jo vetëm nga rezultati, por nga mënyra sesi u përball me një ekip të fortë si Çekia. Skuadra luajti ballë për ballë skuadrës çeke. Barazimi i Bajramit erdhi në momentin më të keq tonin. Pjesa e mbetur e lojës? Mund të shfrytëzonim disa momente për të fituar.
Çfarë do të thotë ky barazim, sa do të na shërbejë në vijim?
Unë jam trajner vet, kjo është keqja. Kjo pikë nuk të lë të gëzohesh shumë. Ndeshja vendimtare është të dielën. Përballë kemi një ekip të vështirë si Polonia. Polonia nuk është si Çekia, ka individualiteti si Milik dhe Lewandowski. Unë kam besim se me elementët që kemi, të paktën mos të humbim ndeshjen. Humbja na nxjerr nga gara për Europianin, barazimi në mban në lojë, ndërsa fitorja na dërgon pothuajse në Europian.
Si t’u duk ekipi që hodhi Sylvinho profesor, zgjedhjet që bëri, la në stol Uzunin dhe i hoqi shirtin e kapitenit Hysaj, nuk besoj se është e lehtë?
Ky është një moment ku ekipi ka mjaft konkurrencë. Kemi një grup lojtarësh shumë konkurrues. Çdo njeri që qëndron në stol është lojtar formacioni. Nuk është e lehtë që të lesh në stol Uzunin, apo Balliun. Alternativat janë të shumta. Dy ndeshjet që janë afër njëra tjetrës bën që kontingjenti jonë të jetë i rëndësishëm. Nuk dua të komentoj në detaje vendimin për ndërrimin e kapitenit. Nuk e di si e ka gjykuar Sylvinho, por nuk ka rëndësi shumë për ne. Për ne vlen kombëtarja dhe rezultatet.
Më bëri shumë përshtypje stoli profesor, shije lojtarë si Uzuni, Bare, Gjasula, Muçi e shumë të tjerë, praktikisht dy ekipe, a është ky grupi më i mirë në dekadat e fundit?
Nuk e pres dot me thikë. Kemi lojtarë që luajnë në skuadrat e tyre. Të jesh protagonist me Legian dhe të mos luash me Kombëtaren, është luks për ne. Jo vetëm Muçi, por mos të harrojmë shumë futbollistë të tjerë. Edhe afrimet e fundit janë të mira, si Muja, apo edhe Daku.
Kush ishte lojtari më i mirë i ndeshjes profesor, kush e bëri diferencën, nëse do të vinim nota, kush e meritonte notën më të lartë dhe më të ulët në këndvështrimin tënd?
Ishin dy momente vendimtare. Pritja fantastike e Berishës kur rezultati ishte 1-1 dhe goli i Bajramit në momentin më të keq të ekipit tonë përfaqësues. I gjithë ekipi ka luajtur mirë, por theksoj Ramadanin, apo edhe Asanin. Cikalleshi nuk u duk, por dha një kontribut të rëndësishëm. Merita është e trajnerit që aktivizoi lojtarë si Mitaj apo Asani. Asanin e kemi patur te Partizani dhe nuk u kujtua njeri për këtë lojtarë.
Po Sylvinho profesor, mënyrën se si e luajti këtë ndeshje, atë që ka bërë deri më tani në këto kualifikuese, me çfarë notë do e vlerësoje?
Puna duket, periudha e tij është e shkurtër. Humbja me Poloninë ishte normale, pasi ishte ndeshja e tij e parë. Rëndësi ka që ndeshja me Poloninë të mos humbet, nëse marrim rezultat çdo gjë do ishte super për ekipin tonë kombëtar.
Sylvinho i bërë më shumë jehonë shpirtit të ekipit, frymës së krijuar, duket se është ka krijuar gjithçka duhet për të shkuar në Evropian, e besoni këtë objektiv tani? Sa shanse i jep Shqipërisë?
Sylvinho ka bërë një grup lojtarësh ku ka mjaft rivalitet. Tani kemi alternativa. Ato e kanë të qartë që ekipi kombëtar ka konkurrencë, kjo është meritë e seleksionimit. Unë përsëri e kam merak ndeshjen me Poloninë.
Të dielën luajmë kundër Polonisë, çfarë ndeshje pret profesor?
Ndeshje vendimtare. Stadiumi do jetë plot, duhet të jemi të kujdesshëm, mos të rrëmbehemi nga euforia. Me lojtarët që kemi në repartin sulmues, jemi të gatshëm për të bërë dëm.
Në fund profesor dua ta mbyll me ju, me historinë e bukur që shkruat me Strugën në Evropë, si e përjetove këtë aventurë, ishit shumë pranë fazës së grupeve, të vjen keq që nuk kaluat më tej, apo dhe keq ishte një mrekulli?
Është realitet, por i pabesueshëm ky sezon me Strugën. Paraqitja e skuadrës ishte super edhe në ndeshjet e Europës. Kemi skuadër të re dhe me traditë.
()