Lewandowski bën “dopietë”, por tifozët vërshëllejnë Poloninë. Santos: Na pret një finale në Shqipëri
18 raste për gol, 7 gjuajtje në kuadrat, 65% mbajtja e topit, por as kaq nuk mjafton për të qetësuar tifozët polak. Pavarësisht fitores 2-0 përballë Ishujve Farore, Lewandowski me shokë u vërshëllyen në stadium, një detaj që tregon qartë se atmosfera në radhët e polakëve nuk është aspak pozitive. Shifrat flasin për një dominim të qartë ndaj ishullorëve, por Polonia vuajti shumë për të kaluar në avantazh, goli i avantazhit erdhi vetëm në minutën e 73-të, ku gjyqtari i takimit, me ndihmën e sistemit VAR, akordoi penallti për prekje të topit me dorë. Nga pika e bardhë, Lewandowski u tregua i saktë. “Bomberi” i Barcelonës ishte fantastik dhjetë minuta më pas duke realizuar një gol shumë të bukur që dyfishoi rezultatin duke sigluar shifrat përfundimtare në 2-0.
Vëmendja e Polonisë dhe Santos tashmë është spostuar te Shqipëria, te sfida e 10 shtatorit në “Air Albania”: “Mua nuk më pëlqeu pjesa e parë. Sjellja, qasja, mentaliteti po. Por nuk më pëlqeu padurimi që u shfaq me topa të gjatë vazhdimisht. Duhej të mendonim dhe të luanim topin në tokë disa herë. Përveç kësaj kishte mungesë ritmi, lëvizje, përshpejtimi, ndaj erdhën edhe vërshëllimat, u shpreh Santos duke u ndalur më pas te sfida me Shqipërinë:
“Ne kishim 5 finale, një e fituam, kanë mbetur katër. Përndryshe, edhe me një barazim dhe me 4 fitore mund të shkonim në Evropian. Por ne do të shkojmë në Shqipëri që të kërkojmë një fitore tjetër. Ne duam të bëjmë pjesën tonë, të mos pësojmë dhe pastaj të shënojmë gola”, u shpreh tekniku portugez.
()