“Nëse nuk do shpërthente lufta në Ukrainë, anëtarësimi i Shqipërisë…”/ Nathalie Tocci në Podcast-in e Ditmir Bushatit: Zgjerimi i BE-së, urgjencë strategjike
Drejtoresha e Institutit Italian për Çështje Ndërkombëtare dhe këshilltarja e posaçme e Përfaqësuesve të Lartë për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë të BE-së, Mogherini dhe Borell në podcastin e Ditmir Bushatit“Public Square” e konsideron zgjerimin e BE-së “një urgjencë strategjike që duhet të rikthehet në agjendë”.
Bushati dhe Tocci flasin për agresionin rus në Ukrainë, arkitekturën e re të sigurisë europiane dhe ndikimin mbi procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Sipas Nathalie Tocci, “kjo luftë na ka bërë të ndërgjegjshëm për realitetin e tmerrshëm, të ndërtimit të arkitekturës europiane të sigurisë, jo për shkak të vullnetit të Europës, por për shkak të vullnetit të Rusisë. Të ndërtimit të arkitekturës europiane të sigurisë kundër Rusisë. Sepse kjo Rusi përbën një kërcënim”.
Ditmir Bushati dhe Nathalie Tocci ndajnë mendimin se me shpërthimin e luftës në Europë, çështja e zgjerimit të BE-së si urgjencë strategjike rikthehet në agjendë. “Nuk ka më mundësi për shtete në zonë të ndërmjetme. Ose je me njërën anë ose me anën tjetër. Procesi i zgjerimit konsiderohet urgjencë. Sigurisht, tashmë i nxitur kryesisht nga Ukraina, por që në trenin e Ukrainës jo vetëm që është Moldavia, potencialisht Gjeorgjia, por rikthehet edhe çështja e Ballkanit Perëndimor.
Le të jemi të sinqertë, negociatat e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ndoshta do të ishin të ngrira nëse nuk do të shpërthente lufta në Ukrainë. Statusi i kandidatit në BE për Bosnje-Hercegovinën ndoshta do të ishte plotësisht i ngrirë, po të mos ishte lufta në Ukrainë. Kjo nuk do të thotë se zgjerimi do të ndodhë domosdoshmërisht, por thjesht që dinamika e zgjerimit është rikthyer. Çështja në fakt është se si ne që besojmë vërtet tek procesi i zgjerimit, meqë të dy i përkasim kësaj kategorie, mund ta përdorim këtë moment, i cili nuk do të zgjasë përgjithmonë”, thekson Tocci.
Drejtoresha e Institutit Italian për Çështjet Ndërkombëtare beson se krizat që do të vijnë në muajt dhe vitin në vijim do të vazhdojnë të riafirmojnë faktin se BE-ja duhet ta ketë gjithnjë e më shumë dimensionin global. Sipas saj, “zhvillimet nga pandemia tek lufta tregojnë se nuk ka një urë lëvizëse që Europa mund ta ngrejë dhe të mbajë pjesën tjetër të botës jashtë saj”.
Duke folur për narracionin e një Europë globale dhe përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë projekt, Ditmir Bushati dhe Nathalie Tocci ndajnë pikëpamjen se historia e gjelbër është thelbësisht e rëndësishme për Europën. “Mendoj se është thelbësisht e rëndësishme për një sërë arsyesh. Së pari, do të ndodhë, dhe duhet të ndodhë, përndryshe të gjithë do të piqemi, vërtet. Së dyti, siç po na mësojnë edhe SHBA-të, kjo është një histori rritjeje. Europa nuk ka nevojë të identifikohet me rregulla dhe kufizime, por me potencialin produktiv dhe novator të saj. Pra, historia e gjelbër është normative, është ekonomike. Ka të bëjë me rilidhjen, me prioritetet e brezave më të rinj. Në këtë kuptim, ka të bëjë me një Europë politike dhe sigurisht strategjike për arsye që kanë të bëjnë vërtet me varësinë nga gazi rus, por jo vetëm. Ka të bëjë edhe me mënyrën se si të shmangen varësitë e reja nga mineralet kritike, kundrejt Kinës dhe se si e pozicionin veten BE-ja në konkurrencën në rritje midis SHBA-ve dhe Kinës”, thekson Tocci.
Ditmir Bushati dhe Nathalie Tocci analizojnë edhe skenaret dhe mundësitë që paraqesin zgjedhjet e ardhshme në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Parlamentin Europian. “Mendoj se rasti i Mbretërisë së Bashkuar paraqet më pak rreziqe. Më duket se koha e populizmit të stilit Johnson, populizmit Brexit ka mbaruar. Në rrethanat më të këqija do të kemi konservatorët, në mutacionin e tyre gjenetik aktual të tipit Sunak.
Në skenarin më të mundshëm dhe pozitiv, do të kemi ndryshim të qeverisë. Pastaj kemi SHBA-në dhe ky është potencialisht një skenar i tmerrshëm. Megjithatë edhe sikur të mos jetë skenar i tmerrshëm, dhe sigurisht me skenar të tmerrshëm nënkuptoj skenarin ku fitues është Trump, edhe sikur të jetë një skenar Biden 2, mendoj se kjo duhet të na japë shkak të mendohemi, të reflektojmë dhe pastaj të përshpejtojmë fillimin e punës. Joe Biden do të jetë presidenti i fundit atlanticist i Shteteve të Bashkuara.
Pastaj vijmë tek zgjedhjet e Parlamentit Europian. Ka një skenar për të cilin shqetësohem më pak dhe një skenar që shqetësohem më shumë. Skenari që shqetësohem më pak, për të cilin dëgjohet të flitet shumë në Itali, është skenari ku rezulton një shumicë e re në Parlamentin Europian, e përbërë nga EPP (partitë popullore europiane) dhe ECR (partitë konservatore dhe reformiste). Mendoj se do të ketë një shumicë tradicionale në Parlamentin Europian. Më pas është ajo për të cilën shqetësohem vërtet. Mendoj se në këtë shumicë tradicionale në Parlamentin Europian, komponenti i gjelbër do të dobësohet edhe më shumë”, thotë Nathalie Tocci.
Të plotë bisedën e gjeni në linkun më poshtë: Nathalie Tocci është Drejtore e Institutit Italian për Çështjet Ndërkombëtare. Studiuese dhe profesoreshë në disa universitete prestigjioze në SHBA dhe në Europë. Këshilltare e posaçme e Përfaqësuesve të Lartë për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë të BE-së, Mogherini dhe Borell. Autore e Strategjinë Globale të BE-së. Kontributore e rregullt në media dhe një nga zërat më me influencë në Europë.