Celular në timon dhe mungesa e rripave të sigurimit, Rrugorja ndëshkon me gjoba drejtuesit e mjeteve në Tiranë
Policia Rrugore e Tiranës ka ashpërsuar kontrollet ndaj drejtuesve të mjetit që thyejnë rregullat e qarkullimit.
Së fundmi, janë ndëshkuar me gjoba 873 shtetas, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, si përdorimi i celularëve, mosvendosja e rripit të sigurimit dhe mosvendosja e kaskës mbrojtëse për drejtuesit e motomjeteve.
Sakaq, janë arrestuar ose proceduar në gjendje të lirë 18 drejtues automjetesh.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë kontrollet e shtuara në të gjitha akset rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, në kryeqytet.
-Gjatë javës që lamë pas, 18 shtetas janë arrestuar ose proceduar në gjendje të lirë, për drejtim automjeti, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, si dhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
-Janë ndëshkuar me masë administrative 873 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjeteve.
-521 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në vija të bardha.
-525 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit.
-Janë vendosur 609 masa administrative, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, nga drejtuesit e motomjeteve.
-Janë bllokuar 14 automjete, për detyrime të pashlyera, mungesë dokumentacioni dhe për verifikime, nga Seksioni i Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.