Prokuroria zbuti akuzën ndaj Rrajave, reagon Berisha: Me urdhër të Ramës, prokurorë armiq të ligjit, kriminelë të vërtetë
TIRANË
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të prokurorisë për zbutjen e akuzës ndaj anëtarëve të fisit Rraja, të akuzuar për dhunë barbare ndaj dy kushërinjve Maja.
Berisha thotë se kjo gjë ka ndodhur me urdhër të Ramës, teksa i cilëson prokurorët armiq të ligjit, kriminelë të vërtetë.
“Shtazërinë e klanit kriminal Rraja, Prokuroria e Tiranës, apo ndryshe Prokuroria Felaj, me urdhër të Ramës e cilëson plagosje të lehtë, nga plagosje e rëndë dhe me qëllim që ishte. Prokurorë armiq të ligjit, kriminelë të vërtetë!”, shkruan Berisha.
Prokuroria e Tiranës ndryshoi akuzën për anëtarët e fisit Rraja në lidhje me episodin e dhunës ndaj Bilbil e Jashar Majas.
Ndryshe nga nisja e hetimit për “plagosje të rënë me dashje, në bashkëpunim” pas publikimit të dhunës me shkopinj bejsbolli prokuroria ka vlerësuar që hetimit duhet të vijojë për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”.