“Akoma më merren mendtë”, u dhunua barbarisht nga Rrajat, Jashar Maja flet pas zbutjes së akuzës: Për akt-ekspertizën shefi i krimeve më tha…
Një nga kushërinjtë Maja që u dhunuan barbarisht nga anëtarë të fisit Rraja në Krujë ka folur sot për News24, një ditë pas lajmit se Prokuroria e Tiranës ka zbutur akuzat ndaj dhunuesve nga plagosje e rëndë me dashje në plagosje të lehtë dhe ata janë drejt fitimit të lirisë.
Jashar Maja tregoi se nuk është dakord me akt-ekspertizën dhe e ka firmosur pa e lexuar dokumentin ku deklaron se nuk do të ketë ankimim. Ai ka sqaruar se çfarë ka ndodhur pasi është thirrur nga shefi i Krimëve në Fushë-Krujë, teksa tha se do ta ndjekë çështjen më tej, por nuk ka besim në këtë shtet.
Sa i përket gjendjes shëndetësore dhe ekspertizës mjeko-ligjore ai tha se ende ka probleme shëndetësore dhe nuk mund të lëvizë i vetëm.
“Që të shtunën na ka informuar shefi i krimeve në Fushë-Krujë.
Ne kemi shkuar në komisariat. Na ka bërë disa pyetje. Kërkonte me këmbëngulje shefi i krimeve që të bëjmë denoncim të ri. I thashë o zotëri unë kam dhënë shpjegime në Prokurori dhe nuk kam pse të bëj denoncim të ri.
Nuk jam dakord me këtë akt-ekspertim.
Ne do të shkojmë në SPAK a nuk e di ku do shkojmë se nuk kemi besim në këtë shtet. Gjithë ajo prokurori të bëjë gjithë këto gjëra ditën për diell, unë nuk e di kujt t’i ankohem.
Unë nuk jam në gjendje, akoma më merren mendtë. Si e ka nxjerr ai prokuror atë vendim, rrahje të lehta.
Unë kam automjetin në shtëpi, unë nuk jam në gjendje me dal në qendër me dal me ble bukë a diçka, shkoj me shoqërues. Prokuroria mund ta pushojë këtë çështje, unë do ndjek ku të kem të drejtën time. Unë nuk e di se çfarë ka thënë ai shef krimesh. Unë isha me një telefonatë dhe nuk kam qenë në vetëdije çfarë ka bërë e çfarë ka thënë.
Më ka thënë që unë kam firmosur që jam njohur me akt-ekspertizën, po i thashë ok dhe kam firmosur.
Nuk e kam lexuar sepse kisha një ngjarje, një aksident. Nga ana financiare nuk kam mundësi të marr një avokat, por deri në SPAK do të shkoj a diku”, deklaroi Jashar Maja.