Gjykata Kushtetuese kërkon paga dyfish më të larta se pjesa tjetër e gjyqësorit
Komisioni për Çështjet Ligjore miratoi të martën më 12 shtator një propozim të Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave të gjyqtarëve të saj dhe të anëtarëve Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në masën dyfish krahasuar me pagën e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe në tejkalim të ndjeshëm të pagës referencë të Presidentit të Republikës.
Projektligji i hartuar Ministria e Drejtësisë, me propozimin e vetë Gjykatës Kushtetuese, parashikon që paga e një gjyqtari kushtetues të jetë rreth 644 mijë lekë, ndërsa e kryetarit të kësaj gjykate në vlerën rreth 773 mijë lekë. Ky projektligj u konstestua nga disa anëtarë të Komisionit si “i palogjikshëm dhe i pabazuar”.
Projektligji u prezantua në komision nga zv. Ministri i Drejtësisë, Klajdi Karameta dhe drejtori i Kodifikimit, Besmir Beja. Këta të fundit thanë se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve te posaçëm janë aktualisht më të larta se ato të Gjykatës Kushtetuese dhe se për këtë arsye ishte e nevojshme të trajtoheshin sipas hierarkisë në sistem.
Deputeti Fatmir Xhafa e kontestoi projektligjin përmes një serie pyetjesh drejtuar përfaqësuesve të ministrisë së Drejtësisë, ndërsa theksoi se me këto ndryshime, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të merrnin dyfishin e pagës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
“Dini ndonjë rast kur Gjykata Kushtetuese ka dënuar ndonjë me burgim të përjetshëm? Po që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të kenë hequr dorë nga privatësia dhe janë kushtëzuar në një sërë të drejtash dhe liri që u njeh kushtetuta, që i barazoni në këtë mënyrë?”, pyeti ai ndër të tjera dhe shtoi nëse e konsideronin Gjykatën Kushtetuese si shkallë të katërt të sistemit të drejtësisë.
Xhafa po ashtu i cilësoi të paqarta argumentet dhe kriteret mbi të cilat është justifikuar ngritja e pagave të gjyqtarëve kushtetues në projektligj.
“Thoni se ka funksione kontrolluese. Kontrolli i Lartë i Shtetit i kontrollon të gjithë. Atëherë i japim KLSH-së një status të veçantë page. Pse nuk ia japim? Pse qenkan mbi deputetët? Këta bëjnë një vendim në 12 muaj, deputetët nxjerrin çdo ditë ligj. Cili është kriteri?” tha Xhafa, ndërsa shtoi se gjendeshin “në një rreth pa kritere, pa shumë logjikë”.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Besmir Beja pranoi se Gjykata Kushtetuese nuk është hierarki e katërt e sistemit gjyqësor, por shtoi se qëllimi i projektligjit ishte që të kalohet pak rroga e gjyqtarëve e prokurorëve të posaçëm, për t’u arritur që pagat e tyre të jenë në hierarkinë e pagës në gjyqësor.
Xhafa u shpreh se nuk mori përgjigje për pyetjet.
“Nuk jemi kundër rritjes së pagave, por argumentet që paraqitët dhe logjika që është ndjekur nuk e justifikon këtë që është bërë,” tha ai.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi e quajti të jashtëzakonshëm diferencimin e pagës për gjyqtarët kushtetues dhe ngriti pikëpyetje se projektligji ishte klientelist.
“…ka për synim që Gjykata Kushtetuese të vetëlidhë sytë në të ardhmen. Nuk po flasim për një gjykatë që vlerëson mbi prova, por që interpreton me fjalë,” tha ai.
“Sigurisht që qeverisë do t’i interesojë se pas kësaj asnjë ligj i qeverisë nuk do të rrëzohet. Ky është një ligj kilentelist ku shkëmbehen favore mes Gjykatës Kushtetuese dhe qeverisë,” shtoi Bylykbashi, ndërsa shtoi se çfarë do të mendonin qytetarët kur të mësonin për pagën 644 mijë lekë në muaj të gjyqtarit kushtetues.
Në përfundim, Komisioni miratoi me 12 vota pro projektligjin. Nga 14 anëtarët e pranishëm të Komisionit për Çështjet Ligjore votoi kundër Bylykbashi, ndërsa deputeti Fatmir Xhafa abstenoi.