INSTAT/ Papunësia rritet te burrat dhe ulet te gratë, ja si janë shifrat për të rinjtë
Rreth 10.7% e forcës aktive për punë ishte e papunë në tremujorin e dytë 2023. Ky është niveli më i ulët i papunësisë që nga tremujori i tretë 2022.
Nga të dhënat rezulton se burrat e kanë më të vështirë të gjejnë punë se gratë, teksa të dhënat tregojnë se papunësia te meshkujt u rrit dhe te femrat u ul.
Sipas Instat në tremujorin e dytë 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,4%.
Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 2,7%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,1%, krahasuar me tremujorin e parë 2023.
Në tremujorin e dytë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10.7%.
Numri i të papunëve gjithsej u ul me 1,9%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, dhe është ulur me 0,7%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Në tremujorin e dytë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 75,8%.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 3,0 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,1 pikë përqindje.
Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 70,2%, ndërsa për burrat ky tregues është 81,7%. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 11,5 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për grate është rritur me 4,1 pikë përqindje, dhe për burrat me 1,9 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 56,7%. Ky tregues është rritur me 1,4 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, dhe është ulur me 1,2 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e parë 2023.
Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 84.6%. Punësimi Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,4%.
Numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2022 në tremujorin e dytë 2023, është rritur me 2,7%. Në terma vjetorë, punësimi ulet me 6,1% në sektorin e bujqësisë dhe me 1,8% në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 11,9% në sektorin e shërbimeve.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2023, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 0,1%. Punësimi u ul me 4,3% në sektorin e bujqësisë, rritet me 2,5% në sektorin e industrisë, dhe me 2,1% në sektorin e shërbimeve.
Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 72,6%, ndërsa për gratë është 62,3%.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 1,7 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 4,1 pikë përqindje.
Në tremujorin e dytë të vitit 2023 shkalla e punësimit të të rinjve është 44,1%. Ky tregues nuk ka ndryshuar krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022 dhe ështe ulur me 0,9 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e parë 2023. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2023, shkalla e punësimit është 78,1%.
Papunësia
Në tremujorin e dytë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 10,7%. Shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,4 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2022, dhe me 0,1 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023.
Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,0% dhe për gratë 10,4%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e papunësisë është rritur me 0,3 pikë përqindje për burrat dhe është ulur me 1,0 pikë përqindje për grate.
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,3%.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 2,1 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e parë 2023, ky tregues është ulur me 0,2 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 7,7%.
Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 1,0 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0,1 pikë përqindje.
Popullsia ekonomikisht jo-aktive
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023, 15,7% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 10,0% e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 13,3% në paaftësi të përhershme.
Gjatë tremujorit të dytë 2023, 5,0% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.
Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 71,6 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë.
Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 2,6% klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 15,4% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe./Monitor/