“E kam duartrokitur Kurtin për…”, VOA: Rama deklaroi se çdo alternativë përtej planit franko-gjerman është një lojë me zjarrin
Kryeministri shqiptar Edi Rama vlerëson se “çdo alternativë tjetër, përveç zbatimit të menjëhershëm, gjithëpërfshirës, të marrëveshjes mbi planin franko-gjerman në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është lojë me zjarrin”.
Në vigjilje të takimit të nesërm në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, zoti Rama i ka kushtuar kësaj çështjeje një pjesë të mirë të një shkrimi publikuar prej tij në rrjetet sociale.
Ai thekson se “ku kush luan do të digjet i pari, po akoma më keq, në fund do të përvëlohet krejt rajoni, po nuk do të shpëtojë pa u përcëlluar edhe vetë Europa”, ndërsa uron që takimi i radhës “të mos të jetë një tjetër xhiro bosh, për një tjetër përsëritje të këngës “fajin e ka tjetri”.
Kryeministri shqiptar i ka qëndruar linjës së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian duke kritikuar haptazi qëndrimet e autoriteteve të Kosovës, aq sa në muajin qershor ai anulloi mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, duke çuar në një ftohje të marrëdhënieve me kryeministrin Kurti. Edhe në shkrimin e sotëm, zoti Rama thotë se është në një mendje me partnerët ndërkombëtarë “për nevojën e zbatimit rigoroz të gjithçkaje për të cilën shteti i Kosovës është zotuar. Qeveritë venë e vijnë, por shtetet serioze nuk venë e vijnë në zotimet e tyre ndërkombëtare njësoj si qeveritë”.
Megjithatë zoti Rama saktëson se qëndrimet e tij nuk duan të thonë se “Shqipëria e sheh Kosovën si të vetmen përgjegjëse për futjen e dialogut në qorrsokak. Assesi jo. Kosova bëri një hap të konsiderueshëm në drejtimin e shumëpritur, duke e pranuar planin franko-gjerman pa referencë për njohjen reciproke dhe duke pranuar po ashtu, propozimin e vetë-menaxhimit për komunitetin serb. E kam duartrokitur menjëherë Albin Kurtin për këtë hap edhe publikisht, jo vetëm personalisht. Tani është koha që edhe Serbia të dalë nga llogorja e asburdit të mohimit të realitetit dhe të veprojë në mirëbesim, duke mundësuar një sekuencë zbatimi që i përmbush nevojat e të dyja palëve në kuadër të planit franko-gjerman”, shkruan zoti Rama, ndërsa shton më tej sedyshoj se strategjia e Beogradit është të vonojë proçesin dhe të përfitojë sa më shumë nga taktikat vetëdëmtuese të Prishtinës, të cilat e kanë ndihmuar vijimësisht viktimizimin e Serbisë në arenën ndërkombëtare”.
I vënë shpesh në qendër të kritikave për marrëdhëniet e afërta me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri Rama vë në dukje se raportet mes dy vendeve do të varen dhe nga ecuria e dialogut me Kosovën. “Një përfundim i suksesshëm i procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm edhe për të ardhmen e qëndrueshme të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi”, shkruan kryeministri shqiptar.
Në shkrimin e tij, zoti Rama prek dhe çështjen e kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i arrestuar, dy ditë përpara zgjedhjeve të vendore të 14 majit, nën akuzat për shitblerje të votës dhe pasojave që ka sjellë ne marrëdhëniet me Greqinë. Zoti Beleri, kandidat i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, forcë politike që përfaqëson interesat e pakicës greke, u mbështet në zgjedhje dhe nga koalicioni opozitar i përbërë nga grupimi i përkrahësve të ish kryeministrit Sali Berisha dhe Partia e Lirisë, e ish presidentit Iir Meta. Kryetari i zgjedhur i Himarës, është në pritje të gjykimit, ndërsa çështja e tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet me Athinën e cila këmbëngul për lirimin e tij duke pretenduar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.
Me një referencë të qartë ndaj autoriteteve greke, kryeministri Rama shkruan se “ndonjë, po thotë, se kur vjen puna tek ndonjë patate shumë e nxehtë në duart e drejtësisë, si ajo e zotit Beleri, unë duhet të ndërhyj e ta hedh pataten në det, por kjo nuk ka për të ndodhur kurrësesi. Dhe unë vetëm do të përsëris deri në bezdi për shumëkënd, se lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar vetëm do të thellohet, pavarësisht dhimbjeve e kostove, sepse kjo luftë është e drejtë dhe e domosdoshme për Shqipërinë Europiane të të gjithë fëmijëve të këtij vendi”.
Në shkrimin e tij, zoti Rama i kushton një hapësirë të dukshme faktit që “megjithëse në Ballkanin Perëndimor shqiptarët janë të shtrirë në disa shtete, në shifra të konsiderueshme duhet thënë, Shqipëria është shembull i veçantë i mos abuzimit me komunitetet etnike të saj të pranishme në vende të tjera. Ne kurrë nuk nxisim trazime etnike as në shtetet fqinje, as mes shteteve fqinje, duke prekur ndjenja që mund të ushqejnë kundërshti e të ndezin konflikte në këtë lagje të Europës”. Ai thekson më tej se “nuk ka dyshim se disa rretherrotull, po edhe disa prej aleatëve e partnerëve tanë ndërkombëtarë e marrin nganjëherë si diçka të zakonshme, të mirëqenë e për këtë arsye thuajse të parëndësishme, qasjen tonë emancipuese për ndërtimin dhe ushqyerjen e marrëdhënieve miqësore me të gjithë” duke shtuar më pas se “në ndonjë rast apo moment u duhet kujtuar të gjithëve se ne japim besim, respekt, miqësi, por askush asnjëherë nuk duhet të na marrë për qorra, shurdhë apo memecë. Ne mirëpresim kritika e ndihmë për t’u përmirësuar nga gjithkush, po leksione bashkëjetese e respekti për etnitë e tjera Shqipërisë nuk i jep dot askush”, nënvizon kryeministri duke iu kundërpërgjigjur sërish drejtpërdrejtë, pretendimeve të Greqisë./VOA/