Poston në TikTok videon e të miturit me hashash, përfundon në pranga
Një video e postuar në rrjetin social TikTok, kur një djalë i rritur i jepte një të mituri për të pirë një cigare të dyshuar me hashash tërhoqi vëmendjen e policisë në Kurbin, duke çuar një 31-vjeçar në pranga për veprën penale të “nxitjes për përdorimin e drogës.
Sipas njoftimit të policisë, 31-vjeçari me incialet G.A (K) ishte nga Patoku.
“Strukturat hetimore të DVP Lezhë, menjëherë pas publikimit të një videoje në rrjetin social TikTok, në të cilën shfaqej një shtetas duke i dhënë për të pirë një të mituri cigare me lëndë të dyshuar narkotike, kanë nisur verifikimin për identifikimin e shtetasit,” njoftoi Policia e Shtetit.
Rrjetet sociale po përdoren shpesh si instrumente për të publikuar përmbajtje “sensacionale”, të cilat jo rrallë paraqesin rrezik për qytetarët apo mirëqënien e tyre. Policia e Shtetit, u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë raste të ngjashmë apo të tjera abuzimi me të miturit.
“Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me të miturit apo me nxënësit dhe cilindo që tenton të nxisë fëmijët për të përdorur lëndë narkotike apo për t’i përfshirë në vepra të tjera penale, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm,” apeloi policia.