Prognoza e UEFA-s na jep 90 për qind shans, ja si kualifikohet Shqipëria në Europian
Si për ironi të fatit, dy kundërshtarët më të fortë të Shqipërisë në Grupin E, Çekia dhe Polonia, janë shtete fqinje dhe ndajnë kufijtë me Gjermaninë, vendin organizator të Europianit 2024.
Por, edhe pse kaq afër, kuqezinjtë aktualisht i kanë më të mëdha shanset për të prerë një biletë për në Berlin, 1900 km larg nga Tirana. Duke parë ndeshjet e zhvilluara, pikët e grumbulluara si edhe përballjet e mbetura, sipas prognozës së UEFA-s dhe faqja “UEFA Rankings” në “Twitter”, Shqipëria ka 90.52 për qind shanse për të marrë pjesë në Europianin e vitit të ardhshëm. Pas nesh vjen Çekia që gjithashtu ka 87.4% shanse dhe polakët me vetëm 21.48%. Dy vendet e para kualifikohen direkt dhe deri tani pas pesë ndeshjeve të luajtura, Shqipëria renditet e para në grup me 10 pikë dhe një golavarazh plus 5 gola.
LLOGARITË Të gjithë ëndërrojmë “Euro 2024”-ën, që nga lojtarët, stafi, tifozët. Por si shkon Shqipëria në finalet e këtij kompeticioni? “Panorama Sport” bën një llogaritje hipotetike, duke parë potencialin e rivalëve dhe situatës në tri ndeshjet e mbetura. Për të mos i lënë asnjë gjë rastësisë, përfaqësueses i duhen të paktën 5 pikë për t’u kualifikuar. PESË PIKË Shqipëria do të përballet në tetor me Çekinë në shtëpi dhe më pas do të udhëtojë drejt Moldavisë në muajin nëntor, ku pas tri ditësh do të presë Ishujt Faroe. Dy barazime dhe një fitore do t’i mjaftojnë kuqezinjve për t’u kualifikuar në “Euro 2024”. Me një total prej 15 pikësh, duke supozuar se Polonia do të fitonte të tria ndeshjet e mbetura dhe do të shkonte 15 pikë dhe barazim me ne, do të ishte ekipi i Silvinjos që do të kualifikohej për në Gjermani, kjo e mundësuar nga fitorja 2-0 në Tiranë të dielën. Pra, duhen 5 pikë të grumbulluara në tri ndeshjet e mbetura dhe Shqipëria do të shihte vetën në Europian.
KATËR PIKË Ndërkaq, nëse në total merren 4 pikë, pra një fitore, një barazim dhe një humbje, sërish shanset për kualifikim janë, pasi kjo varet edhe nga rezultatet që do të marrin polakët dhe çekët dhe ndeshja direkt mes tyre. Këtu nuk varet çdo gjë në dorën tonë, e po ashtu duhet pasur kujdes edhe Moldavia, e cila është në kuotën e 8 pikëve dhe mund të bëhet faktor grupi, por gjasat për një kualifikim të tyre janë shumë të ulëta, pasi dy përballjet e kësaj kombëtareje janë jashtë fushe me Çekinë dhe Poloninë dhe pret në shtëpi kuqezinjtë e Silvinjos.
TRI PIKË Edhe nëse Kombëtarja grumbullon tri pikë në ndeshjet e mbetura, sërish ka shanse për t’u kualifikuar, por kjo do të jetë në dorën e kundërshtarëve. Çekia duhet të mposhtë Poloninë dhe Moldavinë, ndërsa polakët të ngecin me një barazim me Ishujt Faroe ose me Moldavinë. Kështu as Polonia dhe as Moldavia nuk do të arrinin 13 pikë, aq sa Shqipëria.
GJASHTË PIKË Një humbje dhe dy fitore që përkthehen 6 pikë, do të kualifikonin automatikisht Shqipërinë në Europian, e cila do të shkonte në kuotën e 16 pikëve dhe këtu do të digjej sërish Polonia që edhe po mori tri fitore në ndeshjet e mbetura, do të mbetej 1 pikë pas nesh. Humbja në Moldavi me përmbysje dhe disfata në Tiranë, i kanë kushtuar shumë ekipit të Levandovskit.
SHTATË PIKË Barazim me Çekinë në Tiranë, duke parë edhe forcën e tyre dhe gjashtë pikë me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, do të ishin perfekte për Shqipërinë, e cila do të priste një biletë për në Europian, por gjithashtu do të tentonte edhe vendin e parë në grup, nëse çekët do të ndaleshin në ndeshjen e fundit në Poloni.
NËNTË PIKË Tri finale dhe nëse ia dalim t’i fitojmë të tria, padyshim që do të ishte qershia mbi tortë e kualifikimit, pasi kuqezinjtë do t’i tregonin Europës se çfarë janë të aftë të bëjnë. Me 19 pikë, Kombëtarja do të përfundonte grupin në vendin e parë, pavarësisht rezultateve të kundërshtarëve në grup.