Thu, Nov 28, 2024

Si mori flakë pallati në Tiranë, zjarri nisi në katin e 2, i favorizuar nga fasada u përhap me shpejtësi. Gazetari: Në banesë ndodhej një grua shtatzënë me fëmijët

  • PublishedSeptember 14, 2023

Një pallat 10 katësh në rrugën e Kavajës në Tiranë u përfshi nga flakët. Forcat zjarrfikëse pas ndërhyrjes arritët që pas disa orësh të neutralizonin flakët, ndërsa zona u mbulua nga shtëllunga tymi. Më herët drejtori i zjarrfikëses në Tiranë Shkëlqim Goxhaj sqaroi se zjarri fillimisht ka rënë  në katin e dyti dhe jo në katet e sipërme siç u dyshua pasi ra zjarri.

Gjithashtu gazetari Igli Çelmeta sqaroi se fillimisht zjarri ka rënë në katin e dytë, më pas është përhapur nga pjesa anësore e ndihmuar edhe nga materiali i fasadës së pallatit që të përhapet më shpejt, duke mbërritur në katin e 9, ku ka marrë flakë e gjithë tarraca. Më pas nga aty zjarri ka përfshirë sërish fasadën duke zbritur deri në katin e pestë në pjesën tjetër të pallatit.

“Disa nga banorët janë marrë nga përfaqësues të Bashkisë së Tiranë dhe i është komunikuar që bashkia e Tiranës do t’i ndihmojë. Gjithashtu janë ngritur tre grupe ekspertësh të shërbimit zjarrfikës dhe Bashkia e Tiranës që kanë komunikuar me familjet që janë djegur banesat”, raportoi gazetari Igli Çelmeta.

Bëhet me dije se ndërtuesi i pallatit është Tanush Mehilli. Ndërkohë në katin e katërt ka qenë një grua shtatzënë me dy fëmijë dhe nënën e saj. Fatmirësisht kanë arritur që të dalin jashtë sa më shpejt.

Pallati ka vetëm një vit që është ndërtuar, ndërsa banorët në katin e pestë kishin vetëm një muaj që kishin hyrë në këtë pallat.

Sakaq pas më shumë se 3 orësh zjarri u vu në kontroll, ndërsa u lënduan 3 zjarrfikës dhe pasi kanë marrë ndihmën e parë janë në gjendje të mirë shëndetësore.  Dëmet materiale gjithashtu janë të mëdha.

 

AlbaniaWeb.net