Sat, Nov 30, 2024

Sulmuesi i Milanit është gati për derbin, trajneri Pioli merr lajmin e mirë para Interit

  • PublishedSeptember 14, 2023

Stefano Pioli dhe Milani mund të marrin frymë të lehtësuar pasi Olivier Giroud u rikthye në stërvitje me skuadrën vetëm disa ditë para derbit kundër Interit. 36-vjeçari francez u detyrua të tërhiqej nga grumbullimi i skuadrës së Francës pasi pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës në një ndeshje kualifikuese për Euro 2024 kundër Irlandës.

Giroud është një pjesë e pandashme e skemave të ekipit të Piolit në Milano dhe tashmë e ka nisur sezonin në formë të mirë, duke shënuar katër gola dhe duke dhënë një asist në tre ndeshjet e para të sezonit.

Siç raportohet nga Calciomercato.com, Giroud mori pjesë në seancën stërvitore të skuadrës në Milanello këtë mëngjes, duke treguar shenja të mira vetëm disa ditë para Derby della Madonnina kundër Interit. Sulmuesi francez me gjasë do të jetë titullarë ndaj Interit më 16 shtator, në sfidën e orës 18.00 me rivalët e përjetshëm zikaltër.

Sa i përket lojtarëve të tjerë, Pierre Kalulu nuk është në dispozicion të grupit dhe shumë shpejt do të bëjë disa analiza mjekësore për të ekzaminuar dëmtimin e muskujve që ai pësoi në fillim të kësaj jave.

()

AlbaniaWeb.net