VIDEO/ Gola dhe spektakël, AF Elbasani “tregon dhëmbët” ndaj Vorës
Pesë gola, dy kartonë të kuq dhe sa shumë…spektakël. AF Elbasani mundi me shifrat 3-2 Vorën, në supersfidën e javës së dytë të Kategorisë së Parë. Skuadra nga Vora realizoi e para në “Elbasan Arena” në minutën e 9-të me Qardakun, por vendasit treguan karakter dhe përmbysën llogaritë brenda fraksionit. Telushi ekzekutoi saktë një penallti në minutën e 35-të, ndërsa Lleshi “elektrizoi” stadiumin me golin e 2-1.
Çerek ore nga fillimi i pjesës së dytë, Qardaku u shfaq protagonist sërish, duke barazuar shifrat me 11-metërsh. Të dyja skuadrat e mbyllin ndeshjen me nga një lojtar më pak, pas daljeve me karton të kuq të Ramit (Min. 67’ / Elbasani) dhe Xhemalaj (Min. 72’).
Ekipi i Nevil Dedes doli me pikë të plota nga ky takim, pasi në fund Karakaçi “tundi rrjetën” nga pika e bardhë e penalltisë. Kështu, AF Elbasani gjendet në vendin e 3-të, sakaq Vora pozicionohet e pesta.
()