I vetëm në krye, por Shehi nuk fle i qetë, Tirana e tij “fut ujë”
Me 7 pikë në 3 javë, Tirana kryeson e vetme kreun e klasifikimit, e ndjekur nga Skënderbeu me një pikë më pak. Shifrat tregojnë qartë se për Tiranën nuk ishte një shëtitje sfida me ekipin korçarë, kjo u pa qartë që në fillim teksa ishim miqtë që kaluan në avantazh. Ekipi i Shehit hasi jo pak vështirësi në këtë përballje, por u rikthyen në lojë në fundin e pjesës së parë, ku Kaina me kokë barazoi shifrat në 1-1.
Siç është bërë tashmë traditë, Shehi ndryshon shpesh rrjedhën e një ndeshje me zëvendësimet që kryen, kështu ndodhi edhe këtë herë ku Qefalija i hedhur në fushë si zëvendësues përmbysi ndeshjen duke kaluar Tiranën në avantazh. Në fund, për të hipotekuar këtë sukses mendoi “bomberi” bardheblu, Florent Hasani që sigloi shifrat përfundimtare në 3-1.
Pikët e plota kënaqin trajnerin Shehi, por tekniku bardheblu nuk e bën gjumin i qetë, kjo ishte një tjetër ndeshje ku ekipi i tij pësoi gol. Me 5 gola të pësuar në 3 ndeshje, Shehi ka mbrojtjen e tretë më të dobët në këtë fillim sezoni. Ofensiva është një repart që edhe këtë sezon po perfomon në nivele të larta: 8 gola në 3 ndeshje japin garanci, janë sulmi më i mirë i Superligës, po aq sa Egnatia e Erzeni.
()