Asgjësohen 350 bimë kanabisi në Kurbin, arrestohet një nga autorët, procedohet kryeplaku i fshatit
Në kuadër të operacionit “Imazhi”, asgjësohen 350 bimë kanabisi në Kurbin.
Për pasojë është arrestuar një nga autorët, është shpallur në kërkim një bashkëpunëtor, si dhe është proceduar në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit.
Njoftimi i policisë:
Kurbin/Vijon megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Imazhi”. Finalizohet faza e 37-të, si rezultat i kontrolleve me dron dhe me grupe kontrolli në terren.
Asgjësohen nëpërmjet djegies, 350 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në 3 sipërfaqe toke në fshatin Zheje, Kurbin.
Vihet në pranga njëri nga autorët e dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve, si dhe identifikohet dhe shpallet në kërkim autori tjetër P. K.,( nipi i të arrestuarit).
Procedohet në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës, kryetari i fshatit Zheje, njëkohësisht inspektor i pyjeve të kësaj zone.
Në zbatim të planit operacional me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë organizuar dhe finalizuar fazën e 37-të të megaoperacionit policor antikanabis në nivel qarku, të koduar “Imazhi”.
Gjatë kësaj faze, si rezultat i kontrolleve nga toka dhe me dronë, në fshatin Zheje, Kurbin, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në 3 sipërfaqe toke të ndryshme, 350 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i njërit prej autorëve të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve narkotike, shtetasit P. K.,Gjithashtu, u identifikua dhe u shpall në kërkim nipi i shtetasit të arrestuar, shtetasi P. K., pasi dyshohet se është bashkëpunëtor për kultivimin e këtyre bimëve narkotike. Vijon puna për kapjen e 42 vjeçarit.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin A. T., me detyrë kryetari i fshatit Zheje, njëkohësisht inspektor i pyjeve të kësaj zone.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.