Prokuroria dërgon për gjykim dosjen ndaj drejtoreshës së spitalit “Memorial” në Fier
Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim të hënën Rudina Degjonin, drejtuese e spitalit “Memorial” në Fier. Prokuroria e akuzon Degjonin se ka kryer “shpërdorim detyre” dhe ka rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e pacientëve të spitalit. Në një njoftim për shtyp prokuroria shprehet se Degjoni në kundërshtim me aktet ligjore dhe në mungesë të miratimit nga Ministria e Shëndetësisë, ka lejuar kryerjen e paligjshme të procedurës së botoksit të stomakut te pacientët në këtë spital publik.
Sipas prokurorisë kjo ndërhyrje kryhej me materiale mjekësore të blera nga vetë pacientët, janë procedurave të prokurorimit publik. “Mungesa e kryerjes së procedurave të ligjshme të prokurorimit publik, ka sjellë mungesën e verifikimit në këtë spital të dokumentacionit përkatës lidhur me verifikimin e datës së skadencës dhe vendit të origjinës së preparateve,duke sjellë kryerjen e kësaj procedure jashtë çdo lloj standardi ligjor dhe teknik te pacientët, duke mbartur rrezik serioz per jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe duke dëmtuar interesat dhe imazhin e një një institucioni shëndetësor publik”, thuhet në njoftim. Degjoni nuk qe e arritshme për koment mbi akuzat e prokurorisë.