VIDEO/ Barazim pa gola në Milano, “muri” i Newcastle ndal Milanin, Leipzig e nis me fitore Champions-in
Në futboll jo gjithmonë fiton më i miri. Në “San Siro”, në ndeshjen e parë të grupeve të Champions League, Milan dominoi totalisht ndaj Newcastle, por nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 (Grupi F).
Dështimi në derbi dukej një kujtim i largët, teksa kuqezinjtë ushtruan presion konstant në 20 minutat e para, duke iu afruar 3 herë golit. Fillimisht ishte Giroud që vendosi në provë Pope, ndërsa më pas radhën e pati Kruniç, por sërish pa rezultat. Një goditje me kokë e Theo-s elektrizoi stadiumin, por ishte qëndrore dhe “gardiani” Pope e neutralizoi përsëri sferën.
“Qymyrxhinjtë” kishin zgjedhur të qëndronin në prapavijë, me Maignan që duket se ishte spektator në 45 minutat e para. Në pjesën e dytë, dëshira ishte e madhe te skuadra e Piolit për të zhbllokuar sfidën. Në minutën e 74-të, një krosim fantastik për Leaon nuk shfrytëzohet nga portugezi, që nuk kishte saktësinë e duhur për të gjetur portën. Ritmi i lartë i takimit vazhdoi deri në vërshëllimin e fundit të arbitrit, por më kot, pasi rezultati mbeti i ngulitur në 0-0.
Në grupin G, Leipzig triumfoi 1-3 ndaj Young Boys. Gjermanët realizuan të parët me Simakan, por brenda fraksionit, Elia u kundërpërgjigj me golin e barazimit. 3 pikët e para në grup për ekipin e Rose i dhuroi goli i Schlager, ndërsa goli i Sesko thelloi shifrat. Në Zvicër arbitroi gjyqtari shqiptar Enea Jorgji. Jorxhi kishte mjaft punë në Bern, ku nxorri nga xhepi kartonin e verdhë 7 herë. JS
()