Droga në tullumbace, mjeku toksikolog: Shkëput oksigjenin nga truri dhe shpie në arrest kardiak
Mjeku toksikolog Alert Drishti, i ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me drogat e reja që kanë qarkulluar së fundmi në kryeqytet, mes tyre edhe tullumbacet me oksid azoti.
Drishti u shpreh se përdorimi i kësaj droge dëmton në mënyrë direkte trurin, zemrën dhe mushkëritë.
Ai shtoi se gjatë konsumit të saj truri nuk furnizohet më me oksigjen, por me substancën e caktuar dhe kjo shpie deri në arrest kardiak dhe humbje të jetës.
“Oksidi i azotit nuk klasifikohet si një drogë, por si një përbërje e dëmshme për shëndetin. Dëmton kryesisht mushkëritë, trurin e zemrën dhe dëmet mund të shkojnë deri në vdekje. Me tullumbacë nuk është e thënë vetëm oksidi i azotit, por edhe drogëra të tjera të gazta, si heliumi që klasifikohet si drogë.
Të gjitha substancat e gazta shkëpusin oksigjenin nga gjaku dhe truri nuk furnizohet me oksigjen, por me substancën që merret. Oksidi i azotit dëmton rruazat e kuqe të gjakut dhe kalon në tru.
Kohët e fundit kemi pasur raste pacientësh nga përdorimi i drogave të tilla, edhe pse jo raste të rënda”, u shpreh ai.