Shoqata e basteve paralajmëron dështimin e ligjit të ri për lojërat e fatit
Projektligji i ri i qeverisë për rikthimin e lojërave të fatit online u diskutua të mërkurën në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku u thirrën në seancë dëgjimore ish-kryetari i Shoqatës së Basteve, Artan Shyti dhe drejtori i Këshillit Shqiptar për problemet me lojërat e fatit, Henri Tehlaraj.
Përfaqësuesi i shoqatës së basteve paralajmëroi deputetët se ndryshimet e reja në ligj nuk do ta ndalonin paligjshmërinë në të cilën ushtrohet që prej 2018-ës ky aktivitet duke rekomanduar rikthimin në tregun legal të kompanive të vjetra.
Sipas tij, projekti i ri shfaq problematika që e kompromentojnë dëshirën e qeverisë për ta bërë të ligjshëm. Ai rrjeshtoi disa nga këto problematikat si; rreptësia e kritereve për lojëtarët, mungesa e pikave fizike, mospërdorimi i cash-it, deklarimi i identitetit të lojëtarit, etj..
Por sipas tij problemi kryesor ishte penalizimi i kompanive shqiptare me përvojë në këtë treg, duke vendosur kritere për aksionerë të huaj.
“Nëse nuk rikthehen kompanitë që ishin, do të dështojë ky proces”, -tha ai.
Kjo deklaratë shkaktoi debat, pasi deputeti i socialist, Erion Braçe, u përgjigj ashpër duke e akuzuar Shytin se po përfaqësonte krimin.
“Këtë aktivitet e ka pas në dorë krimi”- tha ai, duke iu referuar periudhës para 2018-ës.
“Çfarë po thua; se po s’u kthyen kompanitë që ishin, aktiviteti do mbetet informal?”- iu drejtua Shytit, duke shtuar se, ajo që ai tha po përkthehet si ‘shantazh’.
Sipas Braçes, në të shkuarën ai dhe kolegë të tij kishin pasur kërcënime nga kompani të basteve që nuk pranonin të mbyllnin aktivitetin.
“Ajo kompani refuzoi që të shiste aktivitetin, biznesin. U detyruan përmes dhunës dhe krimit. Ju mund të vazhdoni të thoni jo; por unë dhe ca njerëz që janë në këtë komision, e dini se ça kemi hequr…nga zgëqet e burgut përmes telefonave”- u shpreh deputeti.
Braçe i kërkoi Shytit të tregonte aktorët që po ushtrojnë në mënyrë ilegale aktivitetin, por ai u përgjigj se pyetjen mund t’ua shtronte organeve kompetente ligjore.
“Nuk mund të themi se janë kriminele kur liçensohen nga institucionet shtetërore”- u kundërpërgjigj Shyti, ndërsa solli shifra për “ligjshmërinë” e basteve para 2018-ës.
Sipas Shytit, 90 për qind e xhiros fitohej nga lojtarët dhe pjesa tjetër ishte taksa e shpenzime, ndërsa fitimi për kompanitë ishte nga 3 deri në 5 për qind.
Por, deputetët i vunë në diskutim shifrat dhe pse ai këmbënguli se po i referohej të dhënave zyrtare.
“Si e provoni ju që keni shpërndarë 90 %”- i drejtua Braçe, ndërsa kryetari i komisionit Eduart Shalsi tha se një nga arsyet pse u mbyllën ka qenë dhe “mungesa e një sistemi adekuat të dhënash”.
“Ndaj jemi të shqetësuar dhe duam që këtë herë të bëjmë një ligj sa më të mirë, që të mos ketë mundësi manipulimi”- ndërhyri Shalsi.
Duke iu drejtuar Shytit, ai shtoi se, -“nuk jemi këtu për të shpallë preferenca (për kompanitë), por për të ndërtuar një garë transparente”.
Deputetët e opozitës ringritën shqetësimet për ligjin duke kërkuar ndryshime të neneve të tij.
Duke bërë analogji me aksionin e qeverisë në 2018-ën për mbylljen e basteve, deputetja Jorida Tabaku e cilësoi ligjin e ri, “marrëzi me rregullat e qeverisë”.
Ajo hodhi dyshime mbi kriteret e vendosura për liçensimin e kompanive të reja që, sipas saj, do të eleminojnë konkurencën. “Kjo na çon me ligj te kapja e shtetit”- shtoi Tabaku.
Duke e paralelizuar situatën me konçensionet për inceneratorët, Tabaku u ndal tek formulimi ligjor për kompanitë që do të operojnë në tregun e basteve. “Kapitali themeltar jo më pak se 40 milionë lekë, një nga aksionerët duhet të ketë eksperiencë në vendet e BE dhe OECD. Që këtu janë katër kompani që kanë këto kritere”- tha ajo.
Sipas Tabakut, do të fitojë kompania që ka disa aksione nga një kompani e huaj dhe sapo të fitohet liçenca kompania e huaj ikën.
Ndërsa Edmond Spaho e cilësoi aktivitetin e lojërave të fatit të kapur nga mafia. Sipas tij, shteti po e rregullon me ligj trinomin që ekziston mes kazinove, trafikut të drogës dhe sektori të ndërtimit.
Ai madje hodhi akuza pa emra se edhe shumë deputetë kanë aktivitete të lojërave të fatit, si dhe për përfshirjen e policisë në sektorin ilegal të basteve.
Problematika e ndikimit social të ligjit ishte një tjetër aspekt i diskutimeve, pasi drejtori i Këshillit Shqiptar për problemet me lojërave të fatit, Henri Tehlaraj, u tha deputetëve se ligji i ri nuk i mbronte personat që krijojnë varësi nga bastet dhe nuk parashikon programe sociale në ndihmë të tyre.
Ai kërkoi që në çdo faqe bastesh të kishte logo të dukshme të linjave të këshillimit dhe të organizmave që ofronin ndihmë për varësinë.
Po ashtu ai kërkoi që të ndaloheshin disa kadegori personash që të luanin baste për shkak të detyrave publike që mund të kishin dhe dëmit që sillnin për komunitetin.
“Të ndalohen prokurorët e gjyqtarët”- tha ai duke iu referuar rasteve që ishin zbuluar nga vetingu në drejtësi. Po ashtu, sipas Tehlarajt, duhej të ndaloheshin të luanin persona që mbanin funksione në administratë që lidhej drejtpërdrejt me menaxhimin e parave publike.
Rekomandimet e Tehlarajt u mirëpritën nga kryetari i komisionit, i cili garantoi se ligji nuk do të kalojë pa u qartësuar të gjitha problematikat e ngritura.
“Të hyjmë në nivele teknike, që ta rregullojmë”- u propozoi ai deputetëve, duke shtuar se synimi është për të realizuar një normë ligjore që do t’i hapë udhë një tregu serioz.
Qeveria shqiptare e targetoi tregun e paligjshëm të lojërave të fatit përmes operacionit “Fundi i Marrëzisë” në vitin 2013, dhe në vitin 2015, miratoi një ligj që u komentua si radikal për frenimin e kësaj industrie.
Megjithatë, lojërat e fatit lulëzuan edhe më shumë pas miratimit të ligjit të ri, çka e shtyu qeverinë të vendoste ndalimin e plotë të tyre në vjeshtën e vitit 2018. Ndërsa në relacionin e projektit të ri për kthimin e tyre vetëm në platformat online qeveria pranon dështimin me kontrollin e tregut dhe pretendon se do t’a rikthejë në shina ligjore.