Lëvizja Bashkë proteston për miratimin e projektligjit për minimumin jetik
Paraditen e së enjtes, në prag të nisjes së seancës plenare në parlament, aktivistët e Lëvizjes Bashkë u rreshtuan në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë, duke u bërë thirrje deputetëve shqiptarë për miratimin e projektligjit mbi minimumin jetik.
“Ky ligj duhet t’u siguronte qytetarëve minimumin e të ardhurave që u nevojiten shqiptarëve për të mbetur gjallë deri në fund të muajit”, u shpreh aktivisti Klodi Leka.
“Një deputet i Republikës së Shqipërise sot paguhet sa 39 pensione minimale të pensionistëve tanë”, shtoi ai.
Nëntë muaj pasi aktivistët e Lëvizjes Bashkë dorëzuan pranë zyrave të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve 21 mijë nënshkrime për miratimin e një projektligji për minimumin jetik, ky i fundit mbetet akoma i pashqyrtuar dhe i shpërfillur nga deputetët e mazhorancës dhe të opozitës.
“Ata për vetë flasin për maksimum jetik, kërkojnë kushte e kërkojnë të ikin me pushime. Na thonë se po na rrisin pagën minimale, ndërkohë që çmimet në Tiranë kanë shkuar në stratosferë”, theksoi aktivistja Albina Ruko, duke iu drejtuar deputetëve të Shqipërisë.
Aktivistët listuan sfidat dhe pasojat që sjell për një pjesë të madhe të qytetarëve mosmiratimi i ligjit për minimumin jetik. Kjo mungesë, sipas aktivistëve prek sidomos pensionistët, si një nga shtresat më vulnerabël.
“Mbi 60 mijë familje paguhen jo më shumë se 50 USD në muaj për të mbajtur frymën gjallë. Sipas INSTAT rreth 15 mijë pensionistë i janë rikthyer punës për të mbajtur veten gjallë”, theksoi Klodi Leka.
“Pensionistët detyrohen të bëjnë lloj lloj punësh për të mbajtur frymën gjallë. Komshia ime është 80 vjeçe. Ajo me 7 mijë lekë pension nuk ka mundësi as të blejë ushqimet bazike për veten”, shtoi Ruko për sfidat e pensionistëve.
Aktivistët e Lëvizjes Bashkë theksuan njëzëri se minimumin jetik e kanë premtuar të gjitha partitë politike që prej vitit 1993, por pas 30 viteve po të njëjtët njerëz nuk e kanë realizuar akoma atë.
“Niveli i qytetërimit të një shteti duket nga mënyra se si trajton njerëzit në nevojë, por fatkeqësisht shteti shqiptar i sotëm është pothuajse njëlloj si shteti shqiptar i para 100 viteve”, tha Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë, duke bërë një krahasim me poezitë Migjeniane të mjerimit.
“Në Shqipëri dita e pensionit është një ditë e mallkuar, për atë shumësi që merr 8 mijë lekë të reja por edhe për ata që marrin 15 mijë lekë”, përfundoi Qori.