“Opozita duhet të mbante qëndrim jo antiamerikan”, Lubonja për situatën në PD: Basha kërkon të jetë kundërshtari real i Ramës, por…
Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24, foli për situatën brenda Partisë Demokratike dhe rolin e ndërkombëtarëve në politikën shqiptare.
Lubonja u shpreh se opozita duke ditur se kush është e keqja në Shqipëri duhet të mbante një qëndrim jo antiamerikan. Ndërsa në lidhje kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se kërkon të jetë kundërshtari real dhe i vetëm i kryeministrit Edi Rama, por nuk e luan dot këtë rol.
“Ambasada thotë se nuk ka rolin për të zgjedhur partitë politike në vend. Nga një anë nënkuptojnë qartazi se me non-gratën nuk duhet të merreni, pra ndikojnë kush do udhëheqë, e më pas thonë se nuk kanë rol caktimin e liderëve politikë.
Faktori ndërkombëtar ka qenë arbitër. Konstatimi im është që me Edi Ramën e dytë për shkak të aftësive apo paaftësive që na tregon edhe rasti McGonigal, faktori ndërkombëtar nuk luan më rolin e arbitrit, por është palë me qeverinë.
Opozita shqiptare duke ditur se kush është e keqja në Shqipëri duhet të mbante një qëndrim jo antiamerikan, por qëndrim kundër kësaj zgjedhjeje duke nxjerrë argumentet. Por fatkeqësisht Lulzim Basha nuk e luante dot këtë rol që t’i thoshte ambasadores amerikane se nuk ishte roli i tyre për zgjedhjen e kryetarëve politikë.
Këtu është krijuar përshtypja se nuk vjen dot në pushtet nëse nuk të duan amerikanët. Nuk them të jesh kundër amerikanëve, por në këtë rast është e qartë, duke qenë se në SHBA ka qëndrime të ndryshme në lidhje me këtë rast.
Basha kërkon të thotë që jam i vetmi që jam kundërshtari real i Ramës dhe Berishës që janë bashkë, por edhe me Amerikën. Logjika më e thjeshtë, nëse Lindita Nikolla e di që kundërshtari i vërtetë është Lulzim Basha, atëherë si shpjegohet që gjithë kjo përpjekje që ta marrë Basha kreun e grupit? Nuk e ha njeri këtë?”, tha Lubonja.