“Reforma e 2014 nuk rregulloi pensionet e atyre që e merrnin”, Braçe: Vendimet e 5 viteve të fundit, të rëndësishme por jo të mjaftueshme
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe deklaroi sot se reformat e pensioneve në këto 30 vjet, përfshi edhe atë të vitit 2014 kanë rregulluar pensionet e pensionistëve të rinj, por jo të atyre që kishin dalë ndërkohë në pension.
Duke folur në seancën ku po diskutohet për pensionet private, Braçe tha se vendimet e 5 viteve të fundit në këtë fushë, janë të rëndësishme por jo të mjaftueshme.
“Poshtë shtresës së mesme, kam përshtypjen që ligji do të jetë i vështirë për t’u ndjerë. Biem dakord që kultura e pensioneve vullnetare nuk ekziston në këtë vend. Ligji përmbush kërkesën e çdo sipërmarrje për lehtësi fiskale. Mosfunksionimi i skemave deri tani nuk ka pasur lehtësitë fiskale të munguara si shkak. Mendoj se besimi i shqiptarëve ka qenë shkaku. Rregullat e reja, transparenca, kontrolli, informimi i kontribuesve vlen më shumë sesa lehtësitë fiskale”, tha Braçe.
Sipas tij “Hallet sot janë pensionet e prindërve tanë. Kur thashë se nga 1 tetori pensionet do indeksohen me 8.6% këtu nuk mori vëmendje se këtu halli është kush do bëhet kreu i PD. a thua se nuk është më i përjetshmi që është në fakt. Vendimet e 5 viteve të fundit për pensionet janë të rëndësishme, por të pamjaftueshme. Kushdo që ka ndërmarrë reformë pensionesh në këtë vend ka menduar për ata që do të dalin në pension dhe jo ata që kanë dale në pension. Reforma e pensioneve në 2014 rregulloi pensionet e atyre që dolën dhe do dalin në pension, por e pati të vështirë, e la deri te indeksimi, pensionin e atyre që kishin dalë në pension. Ata që kanë pension dënohen me pamjaftueshmëri. Të ardhurat nuk dalin, pavarësisht indeksimit që kemi bërë. Ata që dalin në pension tani kanë një pension shumë më të mire se të ngjashmit e tyre. Nga 2018 e këtej vetëm bonuse në fund të vitit janë paguar 300 milionë dollarë, nuk mjafton. Duhet zgjidhje e re për pensionet. Për ata që dalin në pension zgjidhja është dhënë, për ata që kanë dalë në pension zgjidhje nuk ka”.